(VIDEO) Zhvillimet në Alta Bankë, Filipçe: Çfarë është MIckoski, diler apo ndërmjetësues
Kryeministri Mickoski thotë se ka gjetur blerës për Alta Bankën, në çfarë cilësie? Çfarë është kryeministri Mickoski? Diler, ndërmjetës apo gjetës i blerësve potencialë të bankave në vendin tonë? Këto janë disa pyetje publike që kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i bëri në konferencën e sotme për media. Filipçe rikujtoi se guvernatori Trajko Sllaveski tashmë ka konfirmuar se Mickoski ishte informuar për hyrjen e Alta Bankës në Maqedoni, gjë që siç tha, dëshmon se kryeministri dinte gjithçka.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Ditëve të fundit dëgjoj kryeministrin Hristijan Mickoski duke thënë se ka gjetur blerës për Alta Bankën. Ai ka gjetur blerës për Alta Bankën. Në çfarë cilësie? Çfarë është kryeministri Mickoski? DIler, ndërmjetës, gjetës i blerësve potencialë të bankave në vendin tonë? Tani, kur guvernatori Trajko Sllaveski tha se ishte informuar për hyrjen e Alta Bankës këtu, te ne, pyetja e parë që shtrohet pas kësaj deklarate të tij është nëse ai, ashtu siç tani po gjen blerës për Alta Bankën në Shkup, ka qenë personi që e solli Alta Bankën e Serbisë në vendin tonë”.
Ai shtoi se Mickoski dukshëm ka qenë në dijeni për të gjithë procesin dhe ishte i informuar për shitjen e bankës, prandaj, siç tha, publiku ka të drejtë të dijë se me kë ka biseduar kryeministri dhe cili ka qenë roli i tij në këtë proces.
Ndërkaq, ndonëse jo pikërishtë për këtë çështje, por përgjigje në formë të pyetjeve kanë parashtruar edhe nga VMRO-DPMNE. Deputeti Brane Petrushevski theksoi se Filipçe dhe Zaev, duhet të tregojnë nëse qëndronin pas futjes së 110 milionë eurove të parave të “pastruara” nga Venezuela në Maqedoninë e Veriut.
BRANE PETRUSHEVSKI, DEPUTET I VMRO-DPMNE-SË
“Në vitin 2019, kur Zaev ishte kryeministër, ndërsa Filipçe ministër, përmes bankës “Eurostandard” dyshohet se janë realizuar transaksione në vlerë prej 110 milionë eurosh, para të dyshimta nga Venezuela, e cila në atë kohë ishte nën sanksione. Për më tepër, transaksionet kanë kaluar ose kanë përfunduar në vende si Rusia, Bjellorusia dhe Serbia. Kudo ku janë Filipçe dhe Zaev, aty ka ndikime ruse, bjelloruse dhe serbe”.
Petrushevski theksoi se dallimi mes pushtetit aktual dhe atij të kaluar është se, sipas tij, Qeveria aktuale mbron bankat dhe kursimtarët, ndërsa qeveria e mëparshme i çonte bankat drejt falimentimit dhe dëmtonte depozituesit.
Samir Mustafa /SHENJA/

