Nënkryetari i TIKA-s, Dr. Mahmut Çevik me mbështetje për projektin digjitalizimi i Gjykatës Kushtetuese të RMV-së

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) ka ofruar mbështetje teknike për digjitalizimin e sallës së mbledhjeve të Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut.
Në ndërtesën e Gjykatës Kushtetuese në Shkup u organizua një ceremoni me rastin e përfundimit të projektit për digjitalizimin e sallës së mbledhjeve, i realizuar me mbështetjen e TİKA-s.
Në ceremoni morën pjesë ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, zëvendëskryetari i TİKA-s, Mahmut Çevik, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, Kadir Özkaya, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski, si dhe shumë mysafirë nga vendi dhe Republika e Turqisë.
Ambasadori Ulusoy theksoi se Turqia dhe Maqedonia e Veriut janë dy vende mike dhe aleate, duke shtuar: “Jemi të kënaqur me ritmin pozitiv që kanë marrë marrëdhëniet tona dypalëshe kohët e fundit. Ashtu si në shumë fusha të tjera, edhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve tona të drejtësisë është një arsye tjetër për kënaqësi të madhe.”
Ai nënvizoi se Turqia, përmes TİKA-s dhe institucioneve të tjera, ka realizuar projekte zhvillimi në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar: “Me këtë projekt, i cili sot përurohet, është bërë rinovimi dhe digjitalizimi i sallës kryesore ku gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut zhvillojnë mbledhjet e rëndësishme. Po ashtu, janë siguruar edhe rroba zyrtare, si pelerina gjyqësore dhe xhaketa, të nevojshme për forcimin e identitetit institucional.”
Nënkryetari i TIKA-s, Dr. Mahmut Çevik theksoi se TİKA ka realizuar rreth 1300 projekte në Maqedoninë e Veriut, ndërsa rreth 30% e tyre i përkasin fushës së drejtësisë.
Ai vlerësoi se projekte të tilla kanë rëndësi të veçantë për demokracinë në vend, duke falënderuar Kostadinovskin për bashkëpunimin e ngushtë dhe duke shprehur urimin që ky projekt t’i sjellë dobi vendit.