Maksuti dhe Bytyqi për borxhin publik: Maqedonia e Veriut i afrohet 11 miliardë eurove borxh
Profesori universitar Ali Maksuti dhe deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, ndër të tjera diskutuan për rritjen e borxhit publik të Maqedonisë së Veriut në emisionin “Debat në Shenja”. Maksuti tha se borxhi publik ka arritur në 10.7 miliardë euro, përkatësisht rreth 60 përqind të BPV) duke theksuar se problemi qëndron te mënyra se si shfrytëzohen paratë e huazuara. Sipas tij, kur borxhi përdoret për mbulimin e shpenzimeve publike dhe kthimin e borxheve të mëparshme, në vend se për investime kapitale, ai bëhet barrë për shtetin.
“Borxhi publik ka shkuar në 10.7 miliardë euro, që dmth 60 % në raport me BPV. Borxhi publik në parim nuk është gjithmonë diçka negative për shtetin. Por kur borxhi nuk orientohet në investime kapitale, por shkon dhe rritet duke u fokusuar në mbulesën e kostove publike dhe kthimin e borxheve të mëparshme, atëherë ky borxh bëhet problem për vendin”, tha Maksuti.
Nga ana tjetër, Bytyqi theksoi se shuma absolute e borxhit publik është 10 miliardë e 970 milionë euro, duke akuzuar Qeverinë se gjatë mandatit e ka rritur atë për rreth 2.5 miliardë euro.
“Vetëm këtu desha, se diskutohet ndoshta nuk ju ka rënë në dorë raporti i fundit për borxhin publik. Borxhi publik në shumë absolute është 10 miliardë e 970 milionë euro. Këtu Qeveria bëri një lojë interesante. Kanë ardhur me borxh publik prej 8.5 miliardë eurosh, tani e përfundojnë me 11 miliardë, 2.5 miliardë euro më i madh është borxhi publik”, theksoi Bytyqi./SHENJA/

