(VIDEO) Maqedonia e Veriut përshëndet marrëveshjen Kosovë- Serbi

Krerët shtetërorë dhe partiak të vendit, kanë përshëndetur marrveshjen e arritur në Ohër mes Kosovës dhe Sërbisë. Ata vlerësojnë se marrëveshja do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka përshëndetur marrëveshjen me një postim në rrjetet sociale
STEVO PENDAROVSKI, PRESIDENT I RMV-SË
“Përshëndes marrëveshjen e arritur nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Kryemistri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, nën kujdesin e BE-së”
Njejtë ka vepruar edhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i cili ka përgëzuar kryeministrin kosovar Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për, siç thotë ai, guximin dhe vizionin e tyre, si dhe i ka uruar qytetarët e të dyja vendeve në rrugëtimin drejt BE-së.
DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINSITËR I RMV-SË
“Jam krenar të pres, në emër të qytetarëve tanë, me ekipin tim, procesin negociues ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, nën kujdesin e BE-së dhe me mbështetjen e SHBA-së. Përgëzoj presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti për guximin dhe vizionin e tyre”.
Ndërkaq, kryetari i Bashkimit Demokratik për integrim, Ali Ahmeti, ka faleminderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropën, për zhvillimin e negociatave me synim suksesin e përbashkët. Sipas Ahmetit, marrëveshja është fitore.
ALI AHMETI, KRYETAR I BDI-SË
“Ky është lajm i madh dhe i shumëpritur që kontribuon në paqen, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Ky dialog tejkalon dimensionin bilateral. Ai determinon orientimin europian të rajonit dhe rrumbullakëson shtetësinë e plotë të Kosovës”.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, këtë marrëveshje e ka cilësuar si një marrëveshje e cila duhet të sjell paqe, por dhe kujton se duhet të përmbushet me përgjegjësi.
ARBEN TARAVARI-KRYETAR I ALEANCËS PËR SHQIPTARËT
“Si shqiptar por mbi të gjitha si një qytetar i botës, jam i gëzuar që Kosova dhe Serbia arritën të merren vesh. Qoftë kjo Marrëveshje vetëm fillimi i një rruge paqeje dhe përgjegjësie, sepse pa përgjegjësi nuk ka Paqe!”
Përndryshe, takimi mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE, u mbajt gjatë ditës së shtunë në qytetin e Ohrit, ndërsa zyrtarët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut deklarojnë se ndjehen krenar dhe të nderur që kanë qen nikoqir të këtij takimi.
Samir Mustafa /SHENJA/