Zyrtare: Senad Gashi më 25 nëntor bokson për kampion bote në WBC

Tashmë merr konfirmim diçka për të cilën punohet një kohë të gjatë. Boksieri shqiptar Senad Gashi më 25 nëntor do të ngjitet në ring në Afrikën e Jugut për tu përballur me Kevin Lerena në duelin e vlefshëm titull kampion bote në versionin WBC.
Lajmin për Sportmania e rikonfirmon, Halim Abazi, trajneri tetovar i cili tashmë zyrtarisht punon me Senad Gashin për sfidat që e presin në periudhën në vazhdim.
“Ky është lajm i madh dhe një moment historik për boksin shqiptar. Mund ta konfirmoj zyrtarisht se është caktuar data 25 nëntor e këtij viti që Senad Gashi të boksojë për titullin kampion bote në Afrikën e Jugut kundër Kevin Lerena-s. Ju kujtoj se Lerena është kampion aktual i botës në peshën deri 101 kilogram në kategorinë Bridgerweight”, shprehet nga Gjermania për Sportmania, trajneri tetovar Halim Abazi, i cili bashkë me Gashin janë duke punuar për duelin e të shtunës (09.09.2023) që do të zhvillohet në Leverkusen.
“Shansi për të luftuar për titull bote ka ndryshuar planet tona dhe tashmë planifikojmë më 20 shtator të udhëtojmë drejt Tajlandës për përgatitje intensive dhe shumë serioze. Më 15 nëntorë planifikojmë të jemi në Afrikë të Jugut, pasi vlerësojmë se 10 ditë do të jenë të nevojshme për tu klimatizuar me kushtet dhe gjithçka në këtë kontinent”, shtoi Abazi.