VLEN: Rikthehet funksionaliteti i plotë i Komitetit për Marrëdhënie mes Bashkësive
Komiteti për Marrëdhënie mes Bashkësive, i cili për vite me radhë është kritikuar për rol të zbehtë dhe funksion të kufizuar në proceset vendimmarrëse institucionale, pritet të marrë një drejtim të ri pas ndryshimeve të fundit në udhëheqje.
Sipas njoftimit të VLEN, në krye të këtij Komiteti është zgjedhur deputeti Adnan Azizi. Ai do të udhëheqë një fazë të re të funksionimit të këtij organi, me theks në rritjen e rolit institucional dhe përgjegjësive të tij.
Në deklaratë theksohet se Komiteti nuk do të ketë më karakter formal, por do të shndërrohet në një mekanizëm aktiv me vendimmarrje funksionale. Ai pritet të ketë rol më të drejtpërdrejtë në çështje si përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, përdorimi i gjuhëve, arsimi dhe kultura, në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe parimin e Badinterit.
VLEN gjithashtu deklaron se synon t’i japë fund, siç e quan, qasjes së deritanishme të neglizhimit institucional dhe se Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat do të zbatohet me seriozitet të plotë, duke synuar forcimin e barazisë institucionale.

