(VIDEO) Bërvenica me kryetar të ri, Arkin Jahiji fitoi zgjedhjet me 265 vota diferencë
Arkin Jahiji nga Aleanca Kombëtare për Integrim, e udhëhequr nga BDI-ja, do të marrë drejtimin e Komunës së Bërvenicës, pasi fitoi në raundin e dytë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale. Jahiji ka siguruar 4.442 vota, ndërsa kundërkandidati i tij, Stojançe Radiçevski nga VMRO-DPMNE, ka marrë 4.177 vota. Sipas rezultateve të përpunuara, janë regjistruar edhe 203 fletëvotime të pavlefshme. Dalja në votime në raundin e dytë ishte rreth 10% më e lartë krahasuar me raundin e parë. Jahiji në fjalimin e tij pas fitores falënderoi të gjithë qytetarët, pa dallim feje apo kombësie.
Në ndërkohë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski ka pranuar humbjen e zgjedhjeve në Bërvenicë, duke theksuar se ata kanë garuar me koncept e program, ndërsa pala kundërshtare respektivisht AKI me nacionalizëm. Mickoski tha se në këtë rezultat ka ndihmuar edhe ndonjë trojan që ka tërhequr vota, duke lënë të nënkuptohet se VLEN-i ka punuar kundër VMRO-së, ashtu siç tha paraprakisht deputetja Dafina Stojanovska.
HRISTIJAN MICKOSKI
“Vetë kundër të gjithëve. Ne me program zgjedhor dhe koncept, ata me mbështetje të demografisë, kartës nacionaliste dhe ndonjë trojan për tërheqjen e votave. Megjithatë, rritja e votave nga rrethi i parë është i qartë dhe i pastër nga 3000 në 4200”.
“Maqedonia e Veriut nuk është as e Hristijan Mickoskit, e as e Branko Cërvenkosvkit”. Kështu tha në fjalimin e tij, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili me të dalë rezultatet, arriti në Çollopekë, nga ku ju bashkua turmës, të cilët kishin dalur për të festuar.
ALI AHMETI, KRYETAR I BDI-SË
“Në këto hapësira, Maqedonia nuk është as e Kristijanit, as e Branko Cërvenkovskit. Maqedonia është vend dhe atdhe i shqiptarëve, që historikishtë, autokton dhe jetojnë në tokat e veta, pa rënë në qaf askujt, të tjerët na kanë rënë në qaf neve. Ne kemi luftuar për liri dhe drejtësi”.
Ndonëse VLEN nuk kanë marrë pjesë me kandidatë në raundin e dytë të këtyre zgjedhjeve lokale, vëmendje të veçantë i është kushtuar edhe kësaj partie, pasi me deklarat e krerëve të VLEN-it, u krijua mjegull, duke mos u bërë e qartë se nga do të rreshtohen dhe kë do ta përkrahin.
Megjithatë, pas daljes së rezulltatave, raeagoi edhe VLEN-i. Partia në pushtet vlerëson se votat u përkasin qytetarëve, të cilët janë të lirë të vendosin se kujt do t’ia besojnë mbështetjen e tyre. Sipas VLEN-it model qytetar nuk mund të ndërtohet duke bërë thirrje për votim etnik bashkë me LSDM e Levicën.
VLEN
“Zgjedhjet në Bërvenicë na treguan se vendi jonë ka ende shumë punë për të bërë deri në ndërtimim e një modeli qytetar e gjithpërfshirës. Sepse, një model qytetar nuk mund të ndërtohet duke bërë thirrje për votim etnik bashkë me LSDM e Levicën. Sepse, aty ku është Levica nuk janë shqiptarët!”.
Vlen thekson se një qasja e tillë rrezikon të krijojë qarkun e mbyllur të retorikës nxitëse dhe polarizuese dhe të thellojë ndarjet etnike. Reagime pati edhe nga liderët tjerë të AKI-së, të cilit poashtu kishin shkuar për të festuar.
Samir Mustafa /SHENJA/

