VLEN: Ali Ahmeti, përmes krushkut, ka marrë kredi prej 5 milionë eurosh nga “Alta Banka” e Beogradit

VLEN: Ali Ahmeti, përmes krushkut, ka marrë kredi prej 5 milionë eurosh nga “Alta Banka” e Beogradit

Deputeti i VLEN-it, Zekirja Tahiri, ka akuzuar kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, se përmes rrjetit të tij të afërt familjar ka përfituar financim prej 5 milionë eurosh nga banka serbe “Alta Banka”, me seli në Beograd.

MARKETING

Shik.mk

Në një konferencë për media, Tahiri ka prezantuar pretendime lidhur me një kredi të marrë më 9 qershor 2025 nga një kompani ku, sipas tij, bashkëpronar është “AS Senjak”, kompani në pronësi të Selaudin Arifit, të cilin deputeti i VLEN-it e cilësoi si krushk të Ali Ahmetit.

Sipas Tahirit, kjo kompani është e lidhur edhe me bizneset e Drin Ahmetit, nipit të liderit të BDI-së, përfshirë blerjen e qendrës tregtare “Soravia”.

“Pikërisht në kohën kur po përgatitej hyrja e bankës serbe ‘Alta Banka’ në Maqedoninë e Veriut, një kompani ku bashkëpronar është pikërisht ‘AS Senjak’, në pronësi të krushkut të Ahmetit, merr një kredi prej 5 milionë eurosh, drejtpërdrejt nga selia qendrore e ‘Alta Bankës’ në Beograd”, deklaroi Tahiri.

Ai ngriti disa pikëpyetje lidhur me arsyet e miratimit të kësaj kredie dhe raportet e pretenduara mes biznesit të afërt me familjen Ahmeti dhe bankës serbe.

“Sipas cilës logjikë ekonomike dhe për çfarë meritash banka e Davor Macurës nga Beogradi i jep 5 milionë euro kapital të freskët një kompanie të lidhur drejtpërdrejt me familjen e Ahmetit?”, pyeti deputeti i VLEN-it.

Tahiri gjithashtu pretendoi se financimi është dhënë në një periudhë kur “Alta Banka” po kërkonte mundësi për të hyrë në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut.

Ai kërkoi nga Prokuroria Publike dhe Drejtoria e Inteligjencës Financiare që të nisin hetime për transaksionet ndërkombëtare të datës 9 qershor 2025.

“U bëjmë thirrje publike Prokurorisë Publike dhe Drejtorisë së Inteligjencës Financiare që menjëherë të hapin hetim për transaksionet ndërkombëtare të datës 9 qershor 2025 dhe të shqyrtojnë rrethanat dhe kushtet në të cilat është miratuar kjo kredi nga Beogradi, me çfarë garancie është mbuluar dhe në llogaritë e kujt në Maqedoni kanë përfunduar pesë milionë eurot”, deklaroi Tahiri.

Në fund, deputeti i VLEN-it paralajmëroi se në konferencën e ardhshme për media do të publikojë informacione të tjera që, sipas tij, lidhen me zhvillimet tre muaj pas transferimit të 5 milionë eurove.

MARKETING