(VIDEO) VMRO e VLE akuzojnë LSDM-në dhe BDI-në për tragjedinë me 14 viktima
Pas vendimit përfundimtar të prokurorisë publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit për rastin e Spitalit Modular në Tetovë akuzat ndërmjet pushtetit dhe opozitës kanë marë hov. Nga LSDM sot kanë akuzuar se për 5 vjet, VMRO dhe Mickoski kanë zhvilluar një fushatë monstruoze kundër Venko Filipçes, duke abuzuar me tragjedinë dhe dhimbjen e familjeve të të ndjerëve. Keti Shterjova tha se për 5 vjet, ata kanë përhapur gënjeshtra, trillime, shpifje, vetëm për t’u hakmarrë ndaj kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçes.
SINKRON: KETI SHTERJOVA, LSDM
“Spitalet modulare u blenë përmes një procedure ndërkombëtare nga Banka Botërore, me mekanizma kontrolli, gjatë krizës më të madhe shëndetësore në historinë e kohëve të fundit.Këto spitale nuk u ndërtuan për fitim të tenderit, por për të shpëtuar jetë.Ato u ndërtuan në një kohë kur spitalet ishin të mbipopulluara, kur nuk kishte shtretër të mjaftueshëm, kur punonjësit e shëndetësisë luftonin për çdo pacient”.
Ndërkaq Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE tha se Filipçe nuk mendoi për pacientët gjatë krizës shëndetësore, por për mënyrën se si ta mbushte xhepin e tij përmes spitaleve modulare, dhe se prokurori Abazi ende po e mbron atë.
SINKRON:MILE LEFKOV VMRO DPMNE
“Për Islam Abazin, prokurorin në largim, deti i dokumenteve, raportet e ekspertëve për spitalin modular në Tetovë nuk kishin asnjë kuptim, as fakti që 14 persona u dogjën të gjallë në të njëjtin spital. Por edhe truri i operacionit të spitalit modular, Venko Filipçe, prokuroria, imagjinoni, thotë se nuk ishte fajtor. Dhe kjo është ajo që thotë prokurori pas pesë vitesh, i cili ka shërbyer vetëm në LSDM dhe BDI gjatë gjithë mandatit të tij.”
Nga VLEN akuzojnë BDI-në se përballë tragjedisë së 14 viktimave në Tetovë, ata qëndrojnë të heshtur. Sipas tyre, dalin në pah edhe më shumë pyetje rreth mënyrës se si Prokuroria arriti në përfundimin për mbylljen e procedurës për prokurimet e 19 spitaleve modulare.
TABELË: VLEN
“Islam Abazi, i cili sot drejton Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duhet t’i japë publikut një shpjegim të qartë dhe të plotë për këtë epilog. Ali Ahmeti, nga ana tjetër, nuk mund të sillet sikur kjo çështje nuk e prek politikisht BDI-në. Tragjedia ndodhi në kohën kur partia e tij ishte në pushtet, ndërsa sot, pas pesë vitesh hetim, familjet e viktimave ende përballen me pikëpyetje të mëdha”.
Pushteti fajëson opozitën dhe Filipçen konkretisht, ndërkaq opozita, kryesisht LSDM thonë se
nëse do të kishte pasur edhe bazën më të vogël për përgjegjësi penale për Filipçen, a beson dikush se Mickoski dhe VMRO nuk do të kishin gjetur një mënyrë për ta përdorur atë.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

