OKB: 1.080 palestinezë të vrarë vetëm në Bregun Perëndimor nga tetori 2023

OKB: 1.080 palestinezë të vrarë vetëm në Bregun Perëndimor nga tetori 2023

Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar Hetimor i OKB-së për Territorin e Pushtuar Palestinez, përfshirë Kudsin Lindor, si dhe Izraelin, ka bërë të ditur se forcat izraelite kanë vrarë 1.080 palestinezë në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, nga 7 tetori i vitit 2023 deri më 30 shtator, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Duke paraqitur gjetjet gjatë një informimi hibrid, ku të tre anëtarët morën pjesë virtualisht, Srinivasan Muralidhar nga India tha se komisioni kishte dokumentuar vdekjet dhe mijëra plagosje gjatë kësaj periudhe.

Muralidhar tha se viktimat përfshinin të paktën 784 burra, 237 djem, 22 gra dhe shtatë vajza.

Ai tha se 10.009 palestinezë ishin plagosur gjithashtu nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor.

Komisioni i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë masa më të forta lidhur me pushtimin dhe aktivitetet e vendbanimeve izraelite, u kërkoi të gjitha shteteve të mos e njohin pushtimin apo vendbanimet si të ligjshme dhe të mos ofrojnë ndihmë politike, ushtarake ose ekonomike që ndihmon në ruajtjen e tyre.

“Nëse komuniteti ndërkombëtar, e në veçanti Këshilli i Sigurimit, nuk ushtron presion të mjaftueshëm ndaj Izraelit që të respektojë angazhimet e tij dhe të drejtën ndërkombëtare dhe të ndërmarrë veprime vendimtare për ta ndaluar Izraelin të vazhdojë aktet e tij të gjenocidit në Gaza dhe krimet kundër njerëzimit në Bregun Perëndimor, nuk do të shohim asnjë zgjidhje, asnjë zgjidhje të menjëhershme, për këtë krizë jashtëzakonisht të rëndë”, tha Muralidhar.

Ai u bëri gjithashtu thirrje aktorëve ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA-së, që të rishqyrtojnë ndihmën ndaj Izraelit, duke argumentuar se nevojitet presion më i madh për t’i dhënë fund “kësaj fushate të vazhdueshme gjenocidi, krimesh lufte dhe krimesh kundër njerëzimit”.

Chris Sidoti, anëtar australian i komisionit, tha se analiza ligjore e tij kishte arritur në përfundimin se Izraeli, “përmes autoriteteve të tij politike dhe ushtarake, ishte përgjegjës për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit, përfshirë shfarosjen, persekutimin, torturën, përdhunimin dhe forma të tjera të dhunës seksuale në Bregun Perëndimor, përfshirë shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve palestinezë”.

Florence Mumba nga Zambia, një tjetër anëtare e komisionit, tha se autoritetet izraelite dhe kolonët po përpiqeshin të përvetësonin më shumë tokë dhe të zhvendosnin palestinezët përmes dhunës dhe keqtrajtimit.

“Është e qartë se synimi i autoriteteve izraelite dhe i kolonëve është të marrin sa më shumë tokë që të jetë e mundur dhe t’i largojnë palestinezët nga zona duke i keqtrajtuar, duke i vrarë, duke ushtruar dhunë seksuale ndaj tyre dhe duke vrarë fëmijët”, tha ajo.

Bregu Perëndimor i pushtuar, përfshirë Kudsi Lindor, ka përjetuar përshkallëzim të sulmeve ushtarake izraelite dhe dhunës së kolonëve që nga fillimi i luftës gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës, në tetor të vitit 2023.

MARKETING