(VIDEO) U mbajt Forumi “Mbi të djeshmen dhe të sotmen e bektashizmit në Ballkan”

(VIDEO) U mbajt Forumi “Mbi të djeshmen dhe të sotmen e bektashizmit në Ballkan”

Në Tiranë, Fondacioni për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut dhe Ndihmë Humanitare (IHH) dhe Qendra Kërkimore për Çështje Humanitare dhe Shoqërore (İNSAMER) organizuan Forumin “Mbi të djeshmen dhe të sotmen e Bektashizmit në Ballkan”. Në takim morën pjesë akademikë, studiues, përfaqësues fetarë, drejtues të organizatave të shoqërisë civile dhe gazetarë nga Turqia, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Në këtë Forum, i cili bashkoi 19 pjesëmarrës nga katër vende, u diskutuan tema si rrugëtimi historik i bektashizmit nga Anadolli në Ballkan. Një nga çështjet kryesore të rendit të ditës ishte projekti për krijimin në Tiranë të një entiteti sovran bektashian sipas modelit të Vatikanit, të cilin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e paraqiti në vitin 2024 nga foltorja e Kombeve të Bashkuara.

MARKETING

Shik.mk

Osman Atalay, anëtar i Bordit të IHH-së, studiues dhe shkrimtar, njëri nga organizatorët e forumit, hodhi idenë e krijimit të një Këshilli të përbashkët që do të përfshinte komunitetet bektashiane të rajonit.

OSMAN ATALAY, ANËTAR I BORDIT TË IHH-SË

“Roli i bektashizmit në zhvillimin e lidhjeve historike, kulturore dhe shoqërore ndërmjet Turqisë dhe vendeve të Ballkanit duhet studiuar nga këndvështrime të ndryshme dhe duhet ruajtur përmes punimeve akademike. Ka nevojë për zhvillimin e bashkëpunimit akademik dhe kulturor ndërmjet komuniteteve bektashiane në Turqi dhe në Ballkan. Në të ardhmen, kanë rëndësi nxitja e kërkimeve të përbashkëta dhe ngritja e një rrjeti të qëndrueshëm komunikimi ndërmjet vendeve”

Udhëheqësi i Tarikatit Halveti në Shqipëri, Shejh Hysen Ali Hormova, trajtoi rolin historik të bektashizmit në Shqipëri dhe njëkohësisht kritikoi ashpër projektin e shtetit bektashian.

Duke tërhequr vëmendjen te vendi i teqeve bektashiane në historinë e arsimit në Shqipëri, Hormova tha se disa teqe me kalimin e kohës u shndërruan në shkolla. Si shembull ai përmendi Teqenë e Koshtanit në Tepelenë, ku në vitin 1909 u hap një shkollë me mësim në gjuhën shqipe.

SHEJH HYSEN ALI HORMOVA, UDHËHEQËS I TARIKATIT HALVETI

“Përmes traditës bektashiane, përveç përhapjes së dijes dhe të kulturës, u dha kontribut edhe në krijimin e marrëdhënieve harmonike mbrenda shoqërisë. Nëse feja bëhet shtet, ajo humbet cilësinë e saj si fe. Një strukturim i tillë mund të dëmtojë ekuilibrat ekzistues mbrenda Shqipërisë dhe mund të sjellë me vete debate mbi barazinë ndërmjet komuniteteve mbrenda Islamit dhe grupeve të tjera fetare në vend”

Shefi i Departamentit të Orientalizmit në Universitetin Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Sülejman Baki, tha se nuk mendon që shteti bektashian, krijimi i të cilit është propozuar në Shqipëri, do t’u sjellë dobi komuniteteve myslimane të rajonit dhe Turqisë.

SÜLEYMAN BAKI, SHEFI I DEPARTAMENTIT TË ORIENTALIZMIT NË UT

“Gjurmë të tarikateve, e veçanërisht të bektashizmit, gjenden në shumë rajone që gjatë periudhës osmane ishin pjesë e së njëjtës hapësirë historike, në radhë të parë në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, Sanxhak dhe Greqi. Teqeja e Harabati Babës në Tetovë, e njohur edhe si Teqeja e Sersem Ali Dedes, ruan ende sot rëndësinë e saj si vlerë dhe qendër kulturore”

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Shoqatave “Horasan Erenleri” nga Turqia, Ali Rıza Özkan, foli gjithashtu në forum për rrënjët historike të alevizmit dhe të bektashizmit, si dhe për debatet rreth shtetit bektashian.

ALI RIZA ÖZKAN, SHOQATA “HORASAN ERENLERI”

“Struktura e planifikuar nuk do të mund të përbënte një fuqi të vërtetë politike apo ushtarake. Një gjë e tillë shërben për përçarjen e shoqërisë alevie, për copëzimin e saj dhe për pengimin e unitetit të saj”.

Forumi “Mbi të djeshmen dhe të sotmen e Bektashizmit në Ballkan”, që u mbajt dje në Tiranë, bashkoi në një tryezë personalitete të fushave të ndryshme nga Turqia, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ku pjesëmarrësit njëzëri u shprehën se vendi i bektashizmit në historinë fetare, shoqërore dhe kulturore të Ballkanit duhet vlerësuar përtej debateve aktuale politike. /SHENJA/

MARKETING