(VIDEO) Temperatura deri në 41 gradë, nga nesër pritet rënie graduale
Temperaturat e larta vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa temperatura ditore masksimale sot do të arrijë deri në 41 gradë Celsius, tregojnë të dhënat e Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike. Nga atje thonë se moti sot do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë, me vranësira të pakta deri mesatare lokale.
DREJTORIA PËR PUNË HIDROMETEOROLOGJIKE
“Pasdite, kryesisht në zonat malore, do të ketë kushte për reshje të rrëmbyeshme shiu dhe shfaqje të bubullimave. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi perëndimor dhe veriperëndimor. Temperatura minimale do të jetë nga 13 deri në 21°C, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 35 deri në 41°C.”
Në Shkup moti do të jetë me diell dhe shumë i ngrohtë, me vranësira të pakta deri mesatare. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi veriperëndimor. Temperatura minimale do të zbresë deri në 20°C, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 40°C.
Sipas njoftimeve të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike nesër dhe gjatë ditëve në vijim temperaturat do të jenë në rënie graduale. Gjatë orëve të pasdites do të ketë paqëndrueshmëri lokale, me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të forcuar. Në disa vende do të ketë kushte për stuhi, me erë të fortë dhe mundësi për breshër.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

