(VIDEO) Sot në mëngjes, Shkupi u listua si qyteti i shtatë më i ndotur në botë
Ulja e temperaturave ka ndikuar që qyteti i Shkupit të rikthehet në listën e vendeve të para në botë për sa i përket ajrit të ndotur. Kryeqyteti gjendet në vendin e shtatë si qyteti më i ndotur në botë, me indeks 151 të ndotjes. Listën për ajër më të ndotur në botë e kryeson qyteti Lahore-Pakistan, pastaj, Delhi-Indi, Pekin në Kinë, Kairo-Egjipt, Hanoi-Vietnam dhe kryeqyteti irakian Bagdad.
Ndërkaq, sinoptikanët informojnë se në Shkup temperatura minimale do të zbresë deri në -2, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri në 19 gradë celsius. Nën ndikimin e një mase ajrore më të ftohtë nga veriu ditën e diel temperatura ditore pritet të ulet me 5 deri në 7 gradë Celsius.
Parashikohet të ketë një periudhë me mot të ndryshueshëm me vranësira dhe më të ftohtë me reshje të kohëpaskohshme shiu, ndërsa në malet e larta do të ketë mundës për reshje bore.
Kujtojmë se ajri i ndotur që kaplon Shkupin këtë periudhë, tashmë e disa vite është bërë diçka e zakonshme. Ajri i ndotur ndikon në shëndetin e qytetarëve, ndërsa mjekët vazhdimisht bëjnë apel për kujdes, që mos të dilet pa nevojë jashtë, ndërsa ata që dalin të mbajnë maska, me qëllim të mbrojtes nga ajri i ndotur, gjë që shkakton vështirësi në frymëmarrje.
Samir Mustafa /SHENJA/