(VIDEO) Shporta e qeverisë më e lirë, ajo e sindikatave më afër realitetit

(VIDEO) Shporta e qeverisë më e lirë, ajo e sindikatave më afër realitetit

Sa kushton realisht jeta në Maqedoninë e Veriut? Përgjigjja duket se varet se kush i bën llogaritë. Për muajin tetor, Ministria e Ekonomisë ka përllogaritur se një familjeje i nevojiten 59.149 denarë për shpenzimet mujore, ndërsa sipas shportës sindikale, kjo shumë arrin në 70.358 denarë. Diferenca është 11.209 denarë.

Sipas ministrit të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, shporta mesatare e konsumit në tetor është rritur për 942 denarë, ose 1,6 për qind krahasuar me muajin paraprak. Rritja më e madhe është regjistruar te ushqimet dhe pijet, veçanërisht te pemët dhe perimet. Shtrenjtim ka pasur edhe te banimi, veshmbathja, energjia elektrike dhe shpenzimet e tjera.

Ndërkohë, Lidhja e Sindikatave tashmë ka publikuar edhe përllogaritjen për muajin nëntor. Sipas saj, një familjeje katër anëtarëshe i nevojiten 70.827 denarë, apo 469 denarë më shumë se në tetor. Vetëm për ushqim nevojiten 25.902 denarë, që përbëjnë 36,6 për qind të shpenzimeve mujore.

Kjo shumë bëhet edhe më e lartë për familjet që nuk kanë banesë në pronësi. Nëse paguajnë qira për një banesë prej 60 metrash katrorë, shporta sindikale arrin në 86.202 denarë.

Shporta e Qeverisë dhe ajo e sindikatave nuk llogariten sipas së njëjtës metodologji, prandaj vlerat e tyre nuk mund të krahasohen sikur të bëhej fjalë për përllogaritje identike. Megjithatë, dallimi është mjaft i madh për të ngritur pyetjen: cila nga këto dy shifra e pasqyron më mirë realitetin e qytetarëve?

megjithatë të dyja shportat, edhe ajo e qeverisë, edhe ajo e sindikatave tregojnë se shpenzimet po rriten, ndërsa pagat qëndrojnë në vend. /SHENJA/

MARKETING