(VIDEO) Filloi diskutimi për amendamentet, nuk pranohet propozimi i opozitës për rritjen e pagës minimale

(VIDEO) Filloi diskutimi për amendamentet, nuk pranohet propozimi i opozitës për rritjen e pagës minimale

Kuvendi i Maqedonisë ka filluar diskutimin për amendamentet e Propozim-buxhetit për vitin 2027 në Komisionin parlamentar për Financim dhe Buxhet. LSDM-ja opozitare ka kërkuar përmes amandamenteve që subvencioni për racionin studentor të rritet për 2.500 denarë në muaj, ndërsa bursat studentore të rriten nga 6.050 në 8.000 denarë. Propozimin e prezantoi deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski, në një konferencë për media para fillimit të debatit për amendamentet.

Oliver Spasovski, Koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së

“Në fushën e arsimit kemi kërkuar mjete për rritjen e kompensimit për ushqimin e studentëve për 2.500 denarë në muaj, rritjen e bursave nga 6.050 në 8.000 denarë, mbështetje financiare për studentët, për qendrat rajonale të arsimit profesional dhe për parandalimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve në shkolla”.

Ndërkaq, deputetja e LSDM gjatë seancës së komisionit, deputetja e LSDM-së, Sanja Lukarevska propozoi amandament përmes së cilit, opozita kërkon rritjen e pagës minimale për përfituesit e buxhetit me qëllim, siç tha ajo, të sigurohen kushte financiare për rritjen e pagës minimale për rreth 22,000 përfitues brenda përfituesve të buxhetit.

Sanja Lukarevska, LSDM

“Me këtë amendament dëshirojmë të sigurojmë standard më të lartë jetese aty ku është më e nevojshme. Arsyeja kryesore për paraqitjen e këtij amendamenti është nevoja për harmonizimin e të ardhurave të të punësuarve me rritjen reale të shpenzimeve të jetesës, shtrenjtimin e vazhdueshëm të ushqimit, energjisë, transportit dhe nevojave të tjera bazë, të cilat ndikojnë në uljen e fuqisë blerëse të qytetarëve, veçanërisht të atyre që kanë pagat më të ulëta”.

Amendamenti nuk u pranua nga shumica parlamentare. Zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski, duke arsyetuar vendimin për mospranimin e amendamentit, theksoi se Qeveria është maksimalisht e përkushtuar për rritjen e pagave. Ai bëri të ditur se për vitin 2027 është paraparë rritje prej 3,4 miliardë denarësh ose rreth 6,3 për qind krahasuar me vitin 2026.

Nikollçe Jankullovski, zëvendësministër i Financave

“Pas ribalancit të dytë të buxhetit për vitin 2026, shuma e përgjithshme e planifikuar për paga ishte 53,8 miliardë denarë. Për vitin 2027 planifikojmë 57,2 miliardë denarë, që do të thotë se kemi një rritje prej 3,4 miliardë denarësh”.

Kujtojmë se, në Propozim-buxhetin për vitin 2027, të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivelin prej 395,4 miliardë denarësh, që është 5,7 përqind më shumë krahasuar me vitin 2026, ndërsa shpenzimet e përgjithshme janë projektuar në 440,4 miliardë denarë, ose 4,8 për qind më shumë se në vitin 2026. Deficiti buxhetor është planifikuar në 45 miliardë denarë, përkatësisht 3,5 përqind të BPV-së, dhe është në përputhje me Strategjinë Fiskale për periudhën 2027–2031.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING