(VIDEO) MPB thirrje prindërve: Kujdes ndaj grupit të dhunshëm online “764”

(VIDEO) MPB thirrje prindërve: Kujdes ndaj grupit të dhunshëm online “764”

 

Një grup i dhunshëm onlajn i quajtur “764”, po shënjestron sidomos fëmijët dhe i detyron ata të vetëlëndohen dhe të ndërmarrin veprime të rrezikshme. Kontakti i këtij grupit me fëmijët bëhet përmes videolojërave dhe platformave të internetit si Roblox, Fortnite, Instagram, TikTok, Snapchat. Kontakti me fëmijët dhe të rinjtë zakonisht vendoset duke u paraqitur si bashkëmoshatarë të tyre ose si persona të interesuar për një miqësi apo marrëdhënie emocionale. Pasi fitojnë besimin e tyre, fillojnë manipulimet, kërcënimet dhe shantazhet, me qëllim që t’i detyrojnë të ndajnë fotografi dhe video intime, të vetëlëndohen, të ushtrojnë dhunë ndaj personave të tjerë, madje edhe të ndërmarrin veprime që mund të kenë pasoja kërcënuese për jetën. Ndaj, Ministria e Punëve të Brendshme u bën apel prindërve, kujdestarëve, mësimdhënësve dhe opinionit të gjerë për kujdes të madh lidhur me dukurinë e njohur si „764”.

Ministria e Punëve të Brendshme

“Për seriozitetin e kësaj dukurie paralajmërojnë edhe institucionet ndërkombëtare të sigurisë, ndër të cilat edhe Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-së (FBI), e cila grupin ‘764’ e ndërlidh me komunitete më të gjera të ekstremizmit të dhunshëm nihilist dhe grupe të ngjashme”.

 

MPB u apelon prindërve që me shumë kujdes të ndjekin ndryshimet në sjelljen e fëmijëve të tyre.

Ministria e Punëve të Brendshme

“*Ndryshime të papritura në sjellje, izolim, frikë, shqetësim ose nervozizëm;

*Fshehtësi e shtuar gjatë përdorimit të telefonit celular ose kompjuterit;

*Komunikim intensiv me persona të panjohur përmes rrjeteve sociale dhe platformave të lojërave online;

*Pranimi i mesazheve kërcënuese, shantazheve ose kërkesave për dërgimin e fotografive dhe videove;

*Lëndime të pashpjegueshme, prerje, gërvishtje ose shenja të tjera të mundshme të vetëlëndimit;

*Shprehje të dëshpërimit ose biseda për vdekjen dhe vetëvrasjen”.

 

MPB bën thirrje që çdokush që ka njohuri, informacione ose dyshime për aktivitete që lidhen me grupin „764” ose grupe të tjera të ngjashme të dhunshme onlajn, të denoncohen ato pranë Sektorit për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

 

MARKETING