(VIDEO) Shfuqizohet vendimi për ndërtimin e bazës së asfaltit në Vizbeg

(VIDEO) Shfuqizohet vendimi për ndërtimin e bazës së asfaltit në Vizbeg

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor ka shfuqizuar vendimin për ndërtimin e bazës së asfaltit në Vizbeg, për çka qytetarët e kësaj ane kanë protestuar disa herë. Ministri Izet Mexhiti tha se është pro bizneseve, por jo kur është në pyetje shëndeti i qytetarëve dhe dëmtimi i ambientit.

Izet Mexhiti, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor

Baza e alfaltit nuk ka qenë e dëmshme vetëm për zonën ekonomike të Vizbegut, por edhe për qytetarët që jetojnë këtu përreth dhe me kontstatimin që mund të jetë edhe kancerogjene. Ne e ndihmojmë biznesin, jemi pro biznesit, por jo kur është në dëm të natyrës dhe të shëndetit të qytetarit. Prandaj, kemi sjellë vendim që të anulohet leja që është dhënë më herët nga Ministria e Ekologjisë nga Qeveria e kaluar”.

Zëvendëskryeministri Mexhiti tha se me përfaqësuesit e bizneseve në zonën industriale të Vizbegut do të diskutojnë edhe për të gjithë çështjet tjera që ata i tangojnë. Për bizneset prioriteti i tyre kryesor është ndërtimi i rrugës kryesore dhe atyre dytësore, në këtë pjesë mjaft të rëndësishme të kryeqytetit.

Dragan Cvetanovski, përfaqësues i zonës industriale të Vizbegut

Kërkesa që e kemi që prej 15 vitesh është rruga, ajo është biseduar me të gjitha Qeveritë deri tani dhe për herë të parë kemi shpresa se do të tentohet të bëhet diçka. Çështjet industriale të zonës industriale nuk duhet të jenë në domenin tonë, por për fat të keq jemi në situatën që jemi. Rruga është prioriteti ynë më i madh”.

Qytetarë, shoferë, e përfaqësues biznesesh jo pak herë kanë kërkuar ndërtimin e rrugës së njohur si Rruga e Kaçanikut, për shkak të rëndësisë së madhe që ka kjo rrugë edhe për bizneset, por edhe për qytetarët për shkak se është rruga që të shpie në kufi me Kosovën.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING