(VIDEO) Së shpejti aplikacioni “Ku Jeni”, Në rast rreziku, aplikacioni i ri ju lidh me 112 pa folur
Drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Muhamed Ali njoftoi, se së shpejti qytetarët do të mund ta përdorin aplikacionin e ri “Where Are You”(Ku ndodhesh), i cili do të mundësojë komunikim më të shpejtë, më të sigurt dhe më të saktë me shërbimet e emergjencës përmes sistemit 112.
Sipas QMK-së, aplikacioni i ri do t’u mundësojë përdoruesve të dërgojnë drejtpërdrejt vendndodhjen e tyre të saktë nga vendi i ngjarjes, si dhe fotografi dhe video, duke u ofruar shërbimeve informacione më të detajuara për situatën, në mënyrë që të reagojnë më shpejt dhe më efikas.
Një nga risitë më të rëndësishme është dhe mundësia për komunikim të drejtpërdrejtë me video me Qendrën Operative në raste emergjente. Në këtë mënyrë, operatorët do të mund ta vlerësojnë situatën në terren në kohë reale dhe të koordinojnë më mirë ndërhyrjen.
Aplikacioni do të përmbajë edhe funksionin “Silent Call”(Thirrje e heshtur), i dedikuar për viktimat e dhunës në familje dhe personat që ndodhen në rrezik. Përmes këtij opsioni, ata do të mund të kërkojnë ndihmë në mënyrë të heshtur dhe të sigurt, pa pasur nevojë të flasin me operatorin, gjë që mund të jetë vendimtare në situata me rrezik.
Nga Qendra për Menaxhimin e Krizave theksojnë se vendosja e këtyre funksionaliteteve të reja është pjesë e procesit të modernizimit të sistemit 112.
Zebushe Ramadani /SHENJA/

