Ministrat Gërvalla e Sveçla prezantojnë raportin: Zinxhiri institucional dështoi të mbrojë Arlinda Zekajn

Ministrat Gërvalla e Sveçla prezantojnë raportin: Zinxhiri institucional dështoi të mbrojë Arlinda Zekajn

Ministrat e Qeverisë së Kosovës, ajo e Drejtësisë, Donika Gërvalla si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kanë mbajtur konferencë për të treguar veprimet dhe mosveprimet e zinxhirit institucional të drejtësisë dhe rendit lidhur me vrasjen e qytetares Arlinda Zekaj që ndodhi pasi ajo zyrtarisht kishte kërkuar ndihmë nga institucionet, raporton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Gjatë ditës së djeshme të dy ministrat dorëzuan raport tek Zyra e Kryeministrit për të treguar mbi veprimet dhe mosveprimet e institucioneve përkatëse lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor.

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla duke prezantuar gjetjet e raportit, tha se raporti ka evidentuar një sërë shkeljesh dhe neglizhencash nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Gjykatën Themelore në Pejë, Prokurorinë Themelore dhe Qendrën për Punë Sociale.

Gërvalla bëri të ditur se Arlinda Zekaj kishte kërkuar mbrojtje institucionale, duke raportuar dhunë, kërcënime dhe frikë për jetën e saj dhe të fëmijës.

“Arlinda Zekaj kërkoi vazhdimisht madje edhe disa herë në ditë nga institucionet e Republikës së Kosovës. Ajo paralajmëroi se jeta e saj ishte në rrezik dhe megjithatë më 25 tetor ajo u vra. Raporti që kemi dorëzuar dje, nuk është vendim gjyqësor dhe nuk përcakton përgjegjësi penale por evidenton mangësi serioze në funksionimin e institucioneve përgjegjëse. Këto mangësi nuk mund të relativizohen dhe përgjegjësitë që dalin prej tyre nuk mund të mbesin pa shqyrtuar”, theksoi Gërvalla.

E pyetur për mundësinë e dorëheqjes nga detyra e ministres, Gërvalla tha se nëse dorëheqja do të kontribuonte për adresim më të mirë dhe perspektivës me më pak rreziqe për gratë, nuk do ta refuzonte dorëheqjen.

Ministri Sveçla deklaroi se nuk konsideron se dorëheqja e tij do të kontribuonte në fuqizimin e grave dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre duke theksuar se po angazhohen makismalisht në përmbushje të detyrave të tyre.

Sipas tij, gjetjet e raportit që ia kanë dorëzuar kryeministrit Albin Kurti, evidentojnë disa shkelje serioze, përfshirë mosekzekutimin e urdhrit të parë për mbrojtje, vonesat në ekzekutimin e urdhrit të dytë, mospërfilljen e kërkesës për vlerësimin e rrezikut dhe mosndërmarrjen e masave të nevojshme për ngritjen e kapaciteteve për mbrojtjen e Arlinda Zekajt.

“Çdo qytetare dhe qytetar që kërkon mbrojtje nga institucionet e Republikës së Kosovës duhet të ketë siguri se zëri i tyre do të dëgjohet, raportimi i tyre duhet të trajtohet me seriozitet dhe jeta e tyre duhet të mbrohet. Për t’u arritur kjo duhet i gjithë zinxhiri i institucioneve përgjegjëse të funksionojë dhe nuk guxojmë asnjë hallkë që të dështojë”, theksoi Sveçla.

Ministri deklaroi se përgjegjësia është që çdo veprim dhe mosveprim të hetohet deri në fund.

Sveçla bëri të ditur se janë identifikuar edhe 155 raste aktive me rrezikshmëri të lartë, për të cilat Policia ka raportuar individualisht për veprimet e ndërmarra. Ai tha se në raport janë përfshirë edhe raportimet për rastet me rrezikshmëri të mesme dhe të ulët.

Arlinda Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, disa orë pasi kishte raportuar tek aturoitetet përkatëse dhunë në familje.

I dyshuari për vrasjen me inicialet A.S., u arrestua të mërkurën në mbrëmje.

MARKETING