Nga 1 maji, linjë e re ajrore direkte Shkup–Tivat, fluturime dy herë në javë
Nga 1 maji do të nisë funksionimin linja e re ajrore direkte që do të lidhë Tivatin dhe Shkupin. Fillimisht, aeroplanët në këtë linjë do të fluturojnë dy herë në javë, gjë që pritet të kontribuojë ndjeshëm në rritjen e numrit të udhëtarëve, por edhe në nxitjen e turizmit dhe bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.
Kjo u bë e ditur në konferencën e përbashkët për media të mbajtur sot nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, dhe zëvendëskryeministri i Malit të Zi, përgjegjës për Çështje të Jashtme dhe Evropiane, Filip Ivanoviq.
“Ajo që diskutuam para 20 ditësh gjatë vizitës sonë në Mal të Zi, po realizohet. Shpresoj që kjo linjë ajrore të kontribuojë ndjeshëm në rritjen e numrit të udhëtarëve, por edhe në zhvillimin e turizmit dhe të biznesit”, theksoi Nikolloski.
Zëvendëskryeministri malazez, Ivanoviq, theksoi se lidhshmëria ndërmjet shteteve nuk duhet të matet vetëm përmes marrëdhënieve politike, por edhe përmes qasjes në ekonomitë e tyre dhe mundësive për bashkëpunim ndërmjet qytetarëve dhe kompanive.
“Lidhja ndërmjet shteteve do të mundësojë udhëtimin e qytetarëve, zhvillimin e turizmit dhe mundësi më të mira për bashkëpunim ndërmjet institucioneve tona. Besojmë se kjo lidhje me Shkupin do të kontribuojë në zhvillimin e ekonomive të të dyja shteteve”, tha Ivanoviq.
I pyetur nga gazetarët nëse planifikohet edhe lidhja e Aeroportit të Ohrit me Malin e Zi, Nikolloski tha se me kompaninë ajrore “Air Montenegro” po zhvillohen negociata për dy linja të tjera të mundshme: lidhjen e Tivatit me Ohrin, si dhe vendosjen e një linje direkte ndërmjet Shkupit dhe Podgoricës.
Ivanoviq shtoi se me vendosjen e lidhjes së drejtpërdrejtë ajrore është realizuar ajo që ishte dëshirë dhe vullnet politik i të dyja qeverive.
“Këtë mund ta konsiderojmë vetëm si fillim. Duhet të shohim se si do të funksionojë kjo linjë ajrore dhe më pas, varësisht nga rezultatet, mund të diskutojmë edhe për linja të tjera në të ardhmen”, shtoi Ivanoviq.
Në kuadër të përpjekjeve për forcimin e lidhjeve ekonomike, është rënë dakord që vitin e ardhshëm të organizohet një forum biznesi, ku do të marrin pjesë kompani nga të dyja vendet.

