(VIDEO) Rasti Alta Bankë: LSDM kërkon hetim, VMRO e akuzon për sabotim
Rasti i Alta Bankës ka përplasur sërish LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në. Socialdemokratët drejtojnë gishtin nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, duke kërkuar hetim për vendimin që i mundësoi bankës serbe të hyjë në tregun e Maqedonisë së Veriut. Ndërkaq,VMRO-DPMNE i akuzon socialdemokratët për manipulim dhe përhapje të qëllimshme të panikut te qytetarët.
Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandar Sasha Dimitrijeviq , i cili kërkoi hetim urgjent dhe përgjegjësi për këtë çështje akuzoi se bankieri i Vuçiqit është edhe bankieri i Mickoskit. Ai theksoi se guvernatori me deklaratën e tij, konfirmoi se vendimin për hyrjen e Alta Bankës në Maqedoni e kishte marrë personalisht Hristijan Mickoski, ndërsa Qeveria më pas kishte marrë vendime që i mundësuan Davor Macurës të përfitonte një paketë më të madhe aksionesh në kurriz të shtetit..
SINKRON: ALEKSANDAR SASHA DIMITRIJEVIQ, SEKRETAR I PËRGJITHSHËM I LSDM-SË
“’Me kryeministrin, sigurisht’. Kjo është deklarata e Trajko Sllaveskit, e cila konfirmon se Mickoski e ka marrë vendimin për Alta Bankën. LSDM-ja kërkon hetim urgjent për rolin e kryeministrit, guvernatorit dhe të gjithë funksionarëve të përfshirë në këtë rast”.
LSDM kërkon të hetohen edhe transaksionet financiare dhe presionet e mundshme ndaj ndërmarrjeve publike. Sipas tyre, situata është alarmante, pasi qytetarët nuk mund të kenë qasje në kursimet e tyre, pensionistët në pensionet, ndërsa kompanitë përballen me vështirësi në pagesën e pagave. LSDM-ja i bëri thirrje Prokurorisë Publike dhe prokurorit Nenad Saveski që të hetojnë përgjegjësinë e funksionarëve politikë, duke kërkuar që hetimi të mos ndikohet nga presionet politike.
Ndërkaq, VMRO akuzon se LSDM manipulon dhe përhap pasiguri te qytetarët lidhur me Alta Bankën.
TABELË: VMRO-DPMNE
“Nuk janë të sakta pretendimet se guvernatori ka deklaruar që vendimin për Alta Bankën e ka marrë kryeministri. Në vend që t’i shtrembërojnë deklaratat, duhet të tregojnë përgjegjësi dhe të ndalojnë përpjekjet e qëllimshme për të krijuar panik”.
Nga kjo parti thonë se institucionet kompetente po punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje, në mënyrë që qytetarët të mos pësojnë dëme. VMRO-ja e akuzon LSDM-në për përpjekje për delegjitimimin e institucioneve dhe rikujton 110 milionë eurot që, sipas saj, ishin drejtuar drejt kompanive të Strumicës të lidhura me familjen Zaev. Në fund, VMRO-DPMNE i bën thirrje Prokurorisë Publike të hetojë nëse në veprimet e LSDM-së ka elemente të veprës penale të sabotimit./SHENJA/

