(VIDEO) Nikollovski: Hekurudha Draçevë – Ilinden rinis në fund të korrikut
Ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski, ka njoftuar se është përfunduar rikonstruksioni i unazës hekurudhore të Shkupit, në segmentin nga Draçeva deri në Ilinden, duke mundësuar devijimin e trenave të mallrave jashtë qytetit. Ai tha se kjo do të ulë ndotjen e ajrit në Shkup dhe do të përmirësojë organizimin e transportit hekurudhor të mallrave. Pas përfundimit të periudhës së testimit, Nikollovski theksoi se segmenti pritet të vihet në funksion brenda rreth 20 ditësh.
ALEKSANDAR NIKOLLOVSKI, MINISTËR I TRANSPORTIT DHE LIDHJEVE
“Kjo do të thotë shumë për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe për uljen e ndotjes në Shkup, nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër do të nënkuptojë transport më të shpejtë të mallrave në Korridorin 10, gjë që do të sjellë më shumë biznes dhe më shumë kompozicione hekurudhore në hekurudhat e Maqedonisë, çka do të kontribuojë shumë në zhvillimin e biznesit dhe të gjithë sektorit të transportit”.
Nikollovski paralajmëroi gjithashtu se më së voni deri më 1 shtator pritet të vihet në funksion linja e parë e trenit urban, e cila do të qarkullojë nga Zelenikova, përmes Draçevës, deri në qendër të Shkupit, e cila siç tha, do të kontribuojë në organizim më të mirë të transportit, uljen e ngarkesës në komunikacion dhe rritjen e efikasitetit të korridorit hekurudhor.
Samir Mustafa /SHENJA/

