(VIDEO) Nga e enjtja letërnjoftimet dhe patentat në telefon
Zyrtarisht, të enjten fillon zbatimi i portofolit elektronik, që do të thotë se qytetarët do të jenë në gjendje të kenë kartën e identitetit dhe patentën e shoferit në telefonin e tyre celular. Aplikacioni do të promovohet zyrtarisht të mërkurën, më 28 tetor. Këtë e bëri të ditur Ministri i Transformimit Dixhital, Stefan Andonovski sot para fillimit të diskutimit në panel “Parakushtet dhe sfidat për dixhitalizimin e përshpejtuar të sektorit privat”, nga ku thekson se është një aplikacion i sigurt që ofron mundësi për mbrojtjen e të dhënave personale.
Stefan Andonovski, Ministër i Transformimit Dixhital
“Kur dëshironi të identifikoheni në një bankë, bar ose vend tjetër, nuk do të duhet të tregoni të gjitha të dhënat nga karta e identitetit. Do të jeni në gjendje të zgjidhni vetë se cilat të dhëna dëshironi të ndani, në një mënyrë të sigurt. Të dhënat do të ndahen nëpërmjet një kodi QR, i cili gjenerohet për përdorim një herë. Kodi skanohet dhe personi tjetër i merr të dhënat vetëm nëse e lejoni. Pas 10 deri në 15 sekondash, kodi QR skadon dhe nuk mund të përdoret përsëri”.
Ministri thekson se ky është fillimi i një procesi që duhet të na çojë drejt portofolit dixhital evropian, që do të thotë dixhitalizim i plotë i dokumenteve. Ai vlerëson se ky është një fillim i shkëlqyer sepse të dhënat bazë nga karta e identitetit dhe patenta e shoferit do të jenë në dispozicion të qytetarëve. Nga ku dhe shpreson që paralelisht me zhvillimin e portofolit celular, të shtojnë edhe shërbime, mundësi dhe dokumente të reja për qytetarët.
Anida Murati /SHENJA/

