(VIDEO) Në Shkup u hap shtabi i Lëvizjes Vetëvendosje
Edhe Shkupi do të jetë pjesë aktive e zgjedhjeve parlamentare që mbahen në Kosovë më 7 qershor. Në Shkup sot u hap shtabi i Lëvizjes Vetëvendosje. Nënkryetari i Lëvizjes, Glauk Konjufca tha se është i bindur se populli do të dalë dhe shpreh vullnetin e tij për ta vazhduar rrugën që zgjodhi në vitin 2020.
GLAUK KONJUFCA, NËNKRYETAR I LËVIZJES VETËVENDOSJE
“Tradicionalisht popullata jonë që kemi në Maqedoninë e Veriut, nëse i numëroni lidhjet familjare, jetën tonë shoqërore të përbashkët, sa prej gjeneratave para meje kanë studiuar në Universitetin e Prishtinës dhe kanë banuar atje, madje janë martuar dhe i kemi gjithë ato lidhje që na bëjnë të ndjehemi një popull, një komb dhe shumë të lidhur me njëri -tjetrin”
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka përshëndetur ardhjen e Glauk Konjufcës që siç tha ai, është nip i Çairit.
IZET MEXHITI, BASHKËKRYETAR I VLEN-IT
“Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut e shohin Kosovën në rrugë të drejtë, drejt zhvillimit, prosperitetit. Me qeverisjen e Albin Kurtit, Glauk Konjufcës e VV-së me shumë kënaqësi e presim hapjen e këtij shtabi që do jetë një adresë për gjithë ata që më 7 qershor t’i japin kahe fitores së re”.
Mexhiti theksoi se është hera e parë që hapet një shtab i një partie nga Kosova dhe ky organizim do të sjellë bashkëpunim, i cili do të thellohet me projekte konkrete. /SHENJA/

