(VIDEO) Mundësia e dytë për kodin zgjedhor, partitë mbeten te të njëjtat qëndrime

(VIDEO) Mundësia e dytë për kodin zgjedhor, partitë mbeten te të njëjtat qëndrime

 

MARKETING

Shik.mk

Çështja e reformave në legjislacionin zgjedhor është rikthyer në temë diskutimi në tryezën e Ministrisë së Drejtësisë ditën e sotme. Ministri Jeton Shasivari pas takimit me anëtarët e grupit të punës për reforma në legjislacionin zgjedhor deklaroi se kanë diskutuar për hapat e nevojshëm për zhbllokimin e procesit. Ai tha se kodi zgjedhor nuk është pronë e asnjë partie politike, as e pushtetit e as e opozitës. Grupit punues nuk iu bashkua partia më e madhe opozitare, LSDM, për të cilën Shasivari theksoi se për takimin e radhës do të tentojë ta kontaktojë.

JETON SHASIVARI, MINISTËR I DREJTËSISË

“Qëllimi i këtij takimi ishte çasje institucionale për të dëgjuar të gjitha aspektet kronologjike të këtij procesi i cili ka zgjatur 4 muaj, ku një pjesë e madhe e qëndrimeve janë të harmonizuara dhe arrita të dëgjoj për së afërmi qëndrimet e çdo pjesëmarrësi në këtë grup pune për reforma në legjislacionin zgjedhor. Aspekti tjetër kishte të bëjë me çështje të cilat tashmë janë harmonizuar në kuadër të grupit të punës”.

Nënkryetari i Kuvendit nga VMRO-DPMNE, Antonio Milloshovski, i pyetur se a mund të vazhdojnë këto bisedime edhe pa LSDM-në tha se nuk është e rëndësishme se në cilën formë zhvillohen të njëjtat.

ANTONIO MILLOSHOVSKI, DEPUTET I VMRO-DPMNE-SË

“Nuk e kemi problem të flasim për ndryshimet në legjislacionin zgjedhor por pyetja është se cili është qëllimi, nëse qëllimi është të arrijmë ta ndërtojmë legjislacionin zgjedhor sipas rekomandimeve të OBSE-ODIHR atëherë është hendikep i madh nëse në tryezë nuk është i ulur ai i cili shkakton problem me 9500 amendamente, dhe për hir të së drejtës amendamente ka edhe nga Levica dhe ky bllokim me amendamente nuk është i përshtatshëm”.

Deputeti i BDI-së Blerim Bexheti tha se Fronti Evropian shpreh gatishmërinë për gjetjen e një konsensusi të gjërë, ku edhe do të shprehet kontributi i tyre.

BLERIM BEXHETI

“Ne si BDI dhe Front Evropian jemi këtu të pranishëm që të vazhdojmë të japim kontributin tonë komfort rekomandimeve të OSBE-ODIHRIT që çasja të jetë gjithpërfshirëse edhe ata rekomandime të plotësohen dhe me kujdes të vazhdojmë ti qasemi realitetit shumë dimensional që ndërthen kodi zgjedhor”.

Koordinatori i grupit parlamentar i LEVICËS , Borisllav Kërmov, tha se mungesa e LSDM-së në takimin konsultativ tregon papjekuri politike dhe një qëndrim jodemokratik, veçanërisht në kushtet kur diskutohen çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në procesin zgjedhor.

BORISLLAV KRMOV DEPUTET I LEVICËS

“Fatkeqësisht shohim që LSDM nuk është e pranishme. Kjo tregon një lloj papjekurie politike dhe jodemokratike. Duket transparente që qëllimi i tyre është ta lënë Levicën si të vetmen parti të hendikepuar, e cila nuk mund të marrë fonde nga reklamat politike të paguara”.

Çështja e reformave në legjislacionin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut është bllokuar pasi partitë politike dështuan të arrijnë një kompromis brenda afatit ligjor që skadoi në korrik të vitit 2026. Partitë opozitare LSDM dhe LEVICA bllokuan këtë proces me dorëzimin e 13.500 amendamenteve.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING