(VIDEO) Në Shkup janë shqiptuar mbi 80 mijë euro dënime për gjuajtjen e pakujdesshme të mbeturinave
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, deklaroi sot se gjatë periudhës së kaluar janë shqiptuar gjoba në vlerë prej mbi 80 mijë eurosh për persona juridikë që kanë vepruar në mënyrë të papërgjegjshme me mbeturinat. Ai shtoi se, për një luftë më efikase kundër dukurive të tilla, është e nevojshme formimi i policisë komunale.
ORCE GJORGJIEVSKI, KRYETAR I QYTETIT TË SHKUPIT
“Nuk mund të lejojmë, po e përsëris, që sjellja e pakicës të na krijojë problem të gjithëve. Pakicë janë ata që sillen në mënyrë të papërgjegjshme ndaj mjedisit, pakicë janë ata që, kur rinovojnë kuzhinat, ndërrojnë mobiljet dhe gjithçka tjetër, i lënë nëpër parqe, bulevarde, pranë kontejnerëve e kështu me radhë. Kemi procedura serioze ndaj personave juridikë, gjatë periudhës së kaluar janë shqiptuar gjoba në vlerë prej mbi 80 mijë eurosh dhe kjo është një shumë serioze gjobash. Qoftë nëse bëhet fjalë për kantiere ndërtimi apo për kamionë që hedhin mbeturina në mënyrë të papërgjegjshme”.
Gjorgjievski tha se një pjesë e qytetarëve konsiderojnë se është më lirë ta paguajnë gjobën sesa ti hedhin siç duhet mbeturinat me përmasa të mëdha në deponinë “Drisla”, për shkak të së cilës ai tha se Qyteti planifikon që çdo javë të mundësojë hedhjen falas të këtyre mbeturinave për të gjithë banorët e Shkupit.
Kreu i Shkupit së bashku me kryetarë të komunave të qytetit, përfaqësuesit e ambasadave, figurat publike, të rinjtë dhe vullnetarët, kanë nisur një aksion për pastrimin e qytetit.
Gjorgjievski tha se në këtë aksion do të marrin pjesë rreth 30 mijë qytetar, duke përfshirë edhe nxënës të shkollave fillore të mesme, të cilët, për sigurinë e tyre, ata do të përkujdesen për oborrin dhe parqet rreth shkollave të tyre.
Samir Mustafa /SHENJA/

