(VIDEO) MPJ e Bullgarisë: Përpjekjet për të rinegociuar detyrimet mund ta largojnë RMV-në nga fillimi i negociatave
Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, për rishikimin e mundshëm të korrnizës negociuese për anëtarësim të vendit në BE. Në një komunikatë të MPJ-së Bullgare thuhet se përpjekjet për të rinegociuar detyrimet mund ta largojnë Maqedoninë e Veriut nga fillimi i negociatave me BE-në.
MPJ E BULLGARISË
“Duhet të jetë e qartë për ata që janë në pushtet në Shkup se përpjekjet për të ngritur ide për rinegocim të detyrimeve tashmë të ndërmarra ndërkombëtare mund të çojnë vetëm në distancim të mëtejshëm nga fillimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Deklarata e Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, fatkeqësisht edhe një herë haptas vë në pikëpyetje perspektivën evropiane të vendit të tij”.
Në dekleratë po ashtu thuhet se, edhe pse sipas detyrës zyrtare, qeveria bullgare është plotësisht legjitime dhe mbetet e hapur për dialog me RMV-në, pasi nuk përfshin rinegocimin e angazhimeve tashmë të ndërmarra nga Shkupi. Ata kanë shtuar se ky pozicion i Bullgarisë është arritur me konsensus nacional dhe nuk do të ndryshojë
Ky reagim vjen pasi Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të mërkurën, tha se si Qeveri mbeten të përkushtuara për këtë çështje dhe se do të vazhdojnë të punojnë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, pasi të zgjidhet qeveria politike në Bullgari.
Pastaj Mickoski tha se shpreson që pas zgjedhjeve për parlamentin bullgar të 27 tetorit, të ketë një qeveri të rregullt që do të gjejë zgjidhje për “bllokadën dhjetëvjeçare të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut” dhe se do të presë zgjedhjen e një kabineti të rregullt në Bullgari për të filluar dialogun me të.
/SHENJA/