(VIDEO) LSDM dhe VMRO përplasen për pagën mesatare

(VIDEO) LSDM dhe VMRO përplasen për pagën mesatare

Ndërkohë që vendi ballafaqohet me paga të ulëta, çmime që vetëm rriten dhe standard të dobët përplasja politike për ekonominë vetëm sa thellohet. Nga LSDM sot kanë akuzuar se politikat e kryeministrit Hristijan Mickoski vetëm për një muaj kanë ulur pagën mesatare për 1163 denarë, përkatësisht për 2,3%. Ata thonë se derisa Mickoski prezanton çdo ditë matematikë të gëzueshme për rritje të pagave dhe pensioneve, paga mesatare për një muaj ka shënuar ulje. Sipas tyre, kalkulimet e Mickoskit nuk mund ta paguajnë faturën e asnjë familjeje dhe përskaj këtyre duhet të flasim për siç thonë ata aeroplanin e ri të Mickoskit.

MARKETING

Description of image

LSDM

Enti Shtetëror i Statistikave publikoi se vetëm për një muaj paga mesatare është ulur për 1.163 denarë, përkatësisht për 2,3 për qind. Për rënien e standardit të jetesës së qytetarëve nuk u duhet statistika, sepse atë e shohin në shtëpi, në frigoriferët bosh dhe në kuletat e zbrazëta. Paga mesatare për një muaj ka rënë për 1.163 denarë, ndërsa paga minimale prej 26.000 denarësh nuk mjafton as për një të tretën e shportës së konsumit, e cila është rritur në 70.000 denarë”.

Akuzës së LSDM-së menjëherë i është përgjigjur VMRO-DPMNE. Ata thonë që LSDM-ja të ndalojë me gënjeshtrat, sepse sipas tyre rritja e pagave gjatë qeverisjes së udhëhequr nga VMRO-DPMNE është 70% më e lartë krahasuar me periudhën kur LSDM-ja ishte në pushtet.

VMRO DPMNE

Ja disa shifra që ndoshta do t’ia bëjnë më të qartë udhëheqjes së LSDM-së të vendosur nga Filipçe. Në qershor të vitit 2017, paga mesatare ishte 22.808 denarë, ndërsa në maj të vitit 2024 arriti në 41.252 denarë. Kjo paraqet një rritje prej 18.444 denarësh për 84 muaj, që do të thotë se paga mesatare është rritur mesatarisht për rreth 220 denarë në muaj”.

Përplasja mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së për pagat dhe standardin e jetesës vazhdon, me të dyja partitë që paraqesin shifra të ndryshme për të argumentuar qëndrimet e tyre. Ndërsa LSDM-ja akuzon për rënie të pagës mesatare dhe rritje të kostos së jetesës, VMRO-DPMNE-ja insiston se gjatë qeverisjes së saj pagat kanë shënuar rritje të ndjeshme. Në mes të kësaj përplasjeje mbetet xhepi i qytetarit dhe pyetja se çfarë tregojnë realisht shifrat.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING