(VIDEO) LSDM akuzon pushtetin për zvarritje të procesit integrues
Vizita e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Shkup, nuk ka kaluar pa u komentua edhe nga partia opozitare maqedonase LSDM. Ato akuzojnë pushtetin se në vend të pozicioneve më të mira negociuese, vendi po përballet me një pozitë të përkeqësuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Nënkryetarja e kësaj partie, Fani Karafilova-Panovska, thkesoi se zvarritja e procesit dhe moszbatimi i kornizës negociuese e çojnë vendin drejt bilateralizimit të çështjes me Bullgarinë.
FANI KARANFILOVA -PANOVSKA, NËNKRYETARE E LSDM-SË
“Sa më shumë që e zvarrisim procesin, aq më shumë do të përkeqësohet pozita e Maqedonisë së Veriut. Dhe kjo ndodhi sot. Sot ndodhi që Ursula von der Leyen e dërgoi Mickoskin në bisedime dypalëshe me Bullgarinë”.
Nënkryetarja e LSDM-së, rikujtoi premtimet e VMRO-DPMNE-së para ardhjes në pushtet për kthimin e emrit, anulimin e Marrëveshjes së Prespës dhe sigurimin e pozicioneve më të mira negociuese. Sipas saj, këto premtime mbetën të parealizuara, ndërsa qëndrimi ndaj Marrëveshjes së Prespës ndryshoi pas ardhjes në pushtet.
FANI KARANFILOVA -PANOVSKA, NËNKRYETARE E LSDM-SË
“Na quanin ne tradhtarë. Thoshin se do ta kthejnë emrin. Premtonin se do ta anulonin Marrëveshjen e Prespës, premtonin se do të siguronin pozicione më të mira negociuese. Dhe çfarë ndodhi? Erdhën në pushtet që, ngadalë por sigurt, Marrëveshja e Prespës për ta të bëhej kryevepër e diplomacisë”.
Nga LSDM-ja iu referuan edhe mesazhit të von der Leyen gjatë vizitës, se vendi i Maqedonisë së Veriut është në BE, së bashku me gjuhën, kulturën dhe identitetin maqedonas. Ndërkohë, opozita vlerëson se ndërsa vendet e tjera kandidate përparojnë në negociatat e anëtarësimit, Maqedonia rrezikon të mbetet pa një udhërrëfyes të qartë për rrugën evropiane. Karanfilova Panovska paralajmëroi se vazhdimi i bllokadës mund të nënkuptojë largimin e të rinjve dhe bizneseve, si dhe përkeqësim të standardit të qytetarëve.
Samir Mustafa /SHENJA/

