(VIDEO) KSHZ propozon që të votohet edhe me pasaportat me emrin e vjetër të shtetit

(VIDEO) KSHZ propozon që të votohet edhe me pasaportat me emrin e vjetër të shtetit

Detyrimi për ndryshimin e dokumenteve me emrin e ri të shtetit, nuk duket të jetë edhe aq serioz. Pasi shtynë vlefshmërinë e letërnjoftimeve dhe dokumenteve të udhëtimit, tani kërkohet që qytetarët të mund të përdorin pasaportën me emrin e vjetër të shtetit për të votuar. Në prag të nisjes së fushatës zgjedhore, Komisioni Shtetëror Zgjedhor, propozon që qytetarëve që kanë pasaporta valide dhe që nuk kanë letërnjoftime, t’u mundësohet të votojnë edhe nëse e kanë pasaportën me emrin “Republika e Maqedonisë”. Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, për TV Tellma kërkoi që ky propozim të futet në Kodin Zgjedhor si dispozitë e përkohshme, që do vlejë për qytetarët nga vendi dhe ato që jetojnë jashtë.

Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së

“Propozojmë që pasaportat në të cilat shkruan ‘Republika e Maqedonisë’, nëse kanë afat, të vlejnë për votim dhe ajo të futet në Kodin Zgjedhor si dispozitë kalumtare e cila do të vlejë vetëm për këto zgjedhje. Mendoj se nuk ka zgjidhje më ideale se kjo. Veç më kemi ndryshuar ligjin për letërnjoftime dhe ato vlejnë, por shumë njerëz nuk kanë as letërnjoftime, kështu që nëse pasaportat kanë afat, do të kenë një dokument, sepse ato janë realisht dokumente të vlefshme, të lëshuara nga organet tona kompetente”.

Sipas tij, të gjithë veprimet e parapara për mbajtjen e zgjedhjeve të dyfishta shkojnë siç duhet dhe të gjitha afatet janë respektuar. Ai u shpreh i sigurtë se, zgjedhjet do të jenë fer, të lira dhe demokratike.

Përdryshe, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut kishin afat për ndryshimin e dokumenteve personale deri më 13 shkurt të këtij viti. Mirëpo, me reagime të ashpra të qytetarëve dhe zërin që i dhanë mediat kësaj problematike, si dhe duke pasur parasysh që vendi gjendet në periudhë parazgjedhore, fillimisht u lejua përdorimi i brendshëm për letërnjoftime, u shty ndërrimi i patentave të shoferit deri në fund të vitit dhe u lejua pasaporta për jashtë vendit, me shtetet e rajonit që RMV ka bashkëpunim.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING