(VIDEO) Kancelari i ardhshëm: Duhet të dalim sa më shpejt nga ky ngërç

Kandidati për kancelar i unionit CDU/CSU, Friedrich Merz, dëshiron ta formojë qeverinë e re federale gjermane deri në festën e Pashkëve. “Tani jemi më pak se tetë javë para festës së Pashkës dhe mendoj se kjo kohë duhet të jetë maksimalisht e mjaftueshme për të formuar qeverinë në Gjermani,” tha ai në Berlin. Gjermania ka që prej muajit nëntor që drejtohet nga një qeveri pa shumicë parlamentare, tha Merz, duke iu referuar shpërbërjes së koalicionit qeveritar pas largimit të partisë FDP.
FRIEDRICH MERZ, KANDIDATI PËR KANCELAR I UNIONIT CDU/CSU
“Ky është një ngërç nga i cili duhet të dalim dhe shpresa ime është që ne ta bëjmë këtë sa më shpejt”.
Kancelari Olaf Scholz nuk dëshiron të jetë pjesë e një qeverie federale të udhëhequr nga CDU/CSU. Po ashtu ai tha se nuk do të jetë as pjesë e grupit negociator të bisedimeve për koalicionin.
OLAF SCHOLZ, KANCELAR
“Nëse ka bisedime, për shembull mes SPD dhe CSU, unë nuk do të jem negociator në emër të SPD”.
Ai tha se kishte kandiduar për postin e kancelarit federaldhe se nuk dëshiron të marrë ndonjë post si përfaqësues i SPD-së në një qeveri federale të udhëhequr nga CDU”.
Kryetari i partisë liberale FDP, Christian Lindner, tha se tërhiqet nga politika pas rezultatit katastrofik të kësaj partie ne zgjedhje.
CHRISTIAN LINDNER, KRYETAR I FDP-SË
“Zgjedhjet federale sollën një disfatë për FDP-në, por shpresojmë një fillim të ri për Gjermaninë. Kjo është ajo për të cilën luftova. Tani po tërhiqem nga politika aktive”.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duke përshëndetur rezultatet e zgjedhjeve tha se kjo është një ditë e mrekullueshme për Gjermaninë. /SHENJA/