(VIDEO) Hetimet për onkologjinë, arrestohet ish drejtori dhe dy të punësuar të tjerë

(VIDEO) Hetimet për onkologjinë, arrestohet ish drejtori dhe dy të punësuar të tjerë

Kanë nisur arrestimet e para pas skandalit në spitalin e Onkologjisë, ku disa prej personelit mjekësor ka vjedhur terapinë e pacientëve të prekur nga kanceri dhe i kanë shitur në tregje të tjera. Këtë mëngjes me urdhër të prokurorit publik janë kryer bastisje në disa lokacione, mes tyre edhe në Klinikën e  Onkologjisë dhe Radiologjisë, për të kapur personat që dyshohet se kanë lidhje me këtë rast. Megjithatë, informacione të detajuar nga Prokuroria thonë se do të japin më vonë.

 “Këtu para Klinikës së Onkologjisë duket qetë dhe një ditë normale, por mëngjesin e sotëm nuk ishte kështu. Rreth orës 08:00 të mëngjesit, kishte aksion policor në të cilin u arrestuan 3 persona. Nga drejtoria kanë bërë me dije se policia ka shoqëruar 3 persona, një ish drejtor, një motër medicinale dhe një të punësuar tjetër”.

Drejtorët e spitalit pranojnë se nga Klinika kanë marrë tre të punësuar, megjithatë shtojnë se në klinikë gjithëçka funksionon në mënyrë normale.

Violeta Klisarova, drejtoreshë e Klinikës së Onkologjisë

“Ka terapi për momentin dhe Klinika vërtetë funksionon normalisht. Deklaroj se të gjithë pacientët do të shërbehen me gjithë terapinë e nevojshme. Nuk mund të ju them nëse është marrë material tjetër, nuk e di. Nuk kam informacione”.

Halid Matoshi, drejtor organizativ

“Jo nuk kanë folur me mua, vetëm kishin urdhër se kë duan ta arrestojnë. Nga këtu janë marrë tre persona, po ish drejtori dhe dy të punësuar, njëra është motër medicinale. Sekretaresha jo, nuk është paraqitur sot në vendin e punës, ndoshta është marrë prej diku tjetër nuk e di, por e ka të fikur telefonin”.

Edhe Ministria e Shëndetësisë ka thënë se Klinika e Onkologjisë funksionon normalisht me ekzaminime dhe terapi të rregullta për pacientët.

Ministria e Shëndetësisë

“Ministria e Shëndetësisë bën me dije se Klinika Universitare për Onkologji dhe Radioterapi po funksionon normalisht, aktualisht janë duke u bërë ekzaminime të rregullta, pacientëve u jepen terapi dhe trajtime të vazhdueshme”.

Gazetarët zbuluan se në këtë Klinikë kishte pasur vjedhje të ilaçeve dhe terapisë nga Klinika e Onkologjisë dhe shitjen e tyre në tregje të tjera. Më vonë, Prokuroria Themelore në Shkup konfiskoi dy kompjuterë në këtë spital dhe bastisi dy banesa private në Shkup. Pas këtij skandati shpërthyen reagime të shumta në opinion.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING