(VIDEO) Grubi: Nuk ka fuqi që ndalë ndërtimin e korridoreve

(VIDEO) Grubi: Nuk ka fuqi që ndalë ndërtimin e korridoreve

Pas shumë polemikave dhe akuzave të ndërsjellta pushtet-opozitë, sot nisi zyrtarisht ndërtimi i Korridoreve 8 dhe 10d. Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, nuk beson se do ketë më pengesa për ndërtimin e korridoreve, përfshirë këtu edhe mundësinë që Gjykata Kushtetuese t’i kontestojë të njëjtat. Ndërsa, për akuzat e partisë opozitare VMRO-DPMNE dhe kundërshtimeve të brendshme nga pjesëtarët e fraksionit të BDI-së, Grubi tha se janë të kota të gjitha bllokimet sepse siç thotë ai, sa më shumë pengesa aq më shumë motiv për punë.

ARTAN GRUBI, ZËVENDËSKRYEMINISTËR I PARË  

“Sa ma shumë pengesa aq më shumë motiv për punë, shife se çka jemi duke bërë, a ka një projekt i cili nuk ka lëvizur nga puna edhe pse janë bllokuar nga dhjetë deri në 15, 20 vjet, por ne i lëvizëm malet, ne e çrrënjosëm bllokadën e ‘Levicës’ dhe VMRO-së në parlament. Nuk ka pengesë, që mund të na ndalë, nuk ka asnjë proces që mund t’i ndalë gjitha këto punë zhvëllimore të cilat po i bëjmë, t’i tejkalojmë padrejtësit 15-20 vjeçare të cilat janë bërë”

Ndërkohë, ka reaguar lideri i partisë maqedonase, VRMO-DPMNE, Hristijan Mickoski, i cili është kundërshtari më i madh i ndërtimit të korridoreve. Ai thotë se ka ardhur koha që partia që BDI të kalojë në opozitë, dhe se do të bëjnë gjithçka në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale që ta mposhtin koalicionin BDI-LSDM.

HRISTIJAN MICOSKI, KRYETAR I VMRO-DPMNE-SË

“Ajo që po e shohim sot dhe në atë që jemi dëshmitar si opinion në Maqedoni është pengmarrja brutale e LSDM-së nga BDI-ja. BDI-ja e ka kapur plotësisht këtë parti politike, nuk po flas për LSDM-në me anëtarësin dhe aktivistët, por po flas për disa që janë pjesë e udhëheqjes së LSDM-së. Ata janë tërësisht servil ndaj BDI-së. Mendoj se është koha që BDI pas 20 vitësh si pjesë e qeverisë, të kalojë një mandat në opozitë që të mund të ristrukturohet brenda”

Kujtojmë se së fundmi, ligjet për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d u nënshkruan edhe nga presidenti i vendit Stevo Pendarovski. Lidhur me Ligjin për Marrdhënie Pune, Pendarovski tha se teksi i miratuar nuk përmban dispozitën e kontestuar të Gjykatës Kushtetues, e cila parashikonte se orari i punës për çdo punjonjës mund të jetë mesatarisht 60 orë në javë gjatë vitit.  Ndërtimi i korridoreve është parashikuar që të ndërtohet për 4 vjet e 7 muaj. Linda Ebibi /SHENJA/

 

MARKETING