Mustafa Dauti flet për punësimet dhe nepotizmin në Doganë
Zëvendësdrejtori i Doganës, Mustafa Dauti, ka pranuar se në këtë institucion punësohen edhe familjarë të funksionarëve, por ka mohuar se Dogana mbështet nepotizmin. Këto deklarata ai i bëri në emisionin “Debat në Shenja”, ku u pyet për punësimet dhe ndikimin e lidhjeve familjare në to.
“Kur të hapet konkursi ka të drejtë gjithkush që të konkurojë dhe ne, kuptohet, kemi kritere. Ata të cilët konkurojnë në qoftë se bien dhe plotësohen kriteret, tash ka mundësi që të jetë ndonjë familjar i dikujt, i cili e ka plotësu kushtin edhe ka mund që të punësohet në doganë. Prandaj në ato raste ka, d.m.th. mund të ketë përjashtime të rralla, por nuk është ajo që ne përkrahim, stimulojmë apo se mbështesim nepotizmin dhe pranojmë dikë që nuk ka meritë, pasi ne mbi të gjitha mbështetemi në meritokraci. Ne të gjithë kemi familjarë, rreth”, tha Dauti.
Pas ndërhyrjes së gazetari Abedin Ismaili, i cili theksoi se jo të gjithë kanë familjarë funksionarë, Dauti u përgjigj se ata akuzohen nga familjarët për mospunësim.
“Tani ka momente, ka përjashtime që ndoshta diku, aty-këtu d.m.th. se prap ne e e kemi këtë segment parasysh që ia vlen një fakt të përmendi unë që kemi edhe shpesh akuza nga familjarët tanë që na thonë, po si u bë 50 anëtarë në familje nuk e punësove asnjë. Pse? Me të vetmin qëllim, që mos të na akuzojnë të tjerët. Prandaj me çdo kusht mundohemi t’i largohemi kësaj”, tha Dauti.

