(VIDEO) Dëshmon Petkovski për rastin “Llotaria”, dëshmia e tij nuk përputhet me pritshmëritë e Prokurorisë
Ka vazhduar gjykimi për rastin “Lotaria Shtetërore”, ku në bankën e të akuzuarve janë Artan Grubi, Perparim Bajrami dhe gjashtë persona të tjerë. Në qendër të seancës së sotme ishte dëshmia e Vlado Petkovskit, drejtor në Llotarinë Shtetërore, i cili në sallën e gjyqit ka dhënë dëshmi që nuk përputhej me pritjet e organit të akuzës. Drejtori i Sektorit për Lojëra të Fatit në “Lotarinë Shtetërore” ka folur pozitivisht për punën e ish-drejtorit Përparim Bajrami, duke thënë se projektet e reja kishin për qëllim rritjen e fitimit të kompanisë.
Në dëshminë e tij, Petkovski përmendi “Novo VLT”, platformën “Megavin.mk” dhe iniciativën që Lotaria Shtetërore t’i organizonte vetë lojërat elektronike të fatit.
VLADO PETKOVSKI, DËSHMITAR
“Pasi erdhi drejtori i ri, ai u angazhua në mënyrë proaktive për zbatimin e projekteve të reja, me qëllim rritjen e portofolit dhe rritjen e fitimit të Lotarisë Shtetërore”.
Sipas dëshmitarit, ideja për terminalet VLT ishte që Lotaria Shtetërore të mos e ndante fitimin me partnerët privatë, por ta mbante atë në kompaninë shtetërore.
Petkovski tha se për projektet ishin përgatitur analiza, studime fizibiliteti dhe hulumtime të tregut, ndërsa Administrata e të Ardhurave Publike kishte dhënë mendim pozitiv. Megjithatë, sipas tij, procesi u bllokua pasi Ministria e Financave nuk dha pëlqimin, pas miratimit të interpretimit autentik të Ligjit për Lojërat e Fatit.
Por, dëshmia e Petkovskit nuk u prit njësoj nga Prokuroria. Për shkak të dallimeve të konsiderueshme mes deklaratës së tij gjatë hetimeve dhe asaj që tha sot në gjykatë, prokurorët kërkuan që ai të merret në pyetje në mënyrë të kryqëzuar. Në hetime, Petkovski ishte marrë në pyetje edhe në cilësinë e të dyshuarit. Për marrëdhënien mes Perparim Bajramit dhe Artan Grubit, Petkovski tha se nuk ka njohuri të drejtpërdrejta. Ai deklaroi se nuk mund të konfirmojë se ata kanë qenë miq dhe se nuk ka qenë i pranishëm në ndonjë takim mes tyre.
Rasti “Lotaria” ka të bëjë me veprime gjatë viteve 2023 dhe 2024. Sipas aktakuzës, Lotarisë Shtetërore i është shkaktuar dëm prej 596 milionë denarësh, ose rreth 9.7 milionë euro. Vepra penale fillimisht ishte cilësuar si “Përvetësim”, ndërsa gjatë hetimit u rikualifikua në “Keqpërdorim të pozitës zyrtare”. Përveç Grubit dhe Bajramit, të akuzuar janë edhe Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski. Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë.
Samir Mustafa /SHENJA/

