(VIDEO) 5,5 milionë euro për Festën e Pavarësisë, Qeveria prezantoi raportin por nuk i tregoi honoraret e artistëve

(VIDEO) 5,5 milionë euro për Festën e Pavarësisë, Qeveria prezantoi raportin por nuk i tregoi honoraret e artistëve

Drejtori i Lotarisë Shtetërore, Aleksandar Klimovski, së bashku me zëdhënësen e Qeverisë, Marija Miteva, sot kanë prezantuar raportin financiar për festimin e muajit të kaluar me rastin e pavarësisë, por as kësaj radhe nuk kanë treguar se sa para janë paguar veçmas për secilin interpretues. Nga gjithsej 5,5 milionë euro, sa ka kushtuar e gjithë festa, 2,1 milionë euro janë shpenzuar për honoraret e 67 interpretuesve.

MARKETING

Shik.mk

ALEKSANDAR KLIMOVSKI, DREJTOR I LOTARISË SHTETËRORE

“Këto janë marrëdhënie të tyre të ndërsjella detyrimore, të bazuara në kontrata komerciale që kanë një shkallë të caktuar konfidencialiteti, të lidhura mes ‘Stardust’ dhe David Guettas, apo artistëve, interpretuesve, këngëtarëve të tjerë e kështu me radhë. Këto janë kontrata të tyre të brendshme, shumat e përgjithshme të të cilave janë përfshirë në raport. Për këto pagesa janë paguar tatimet dhe se ato kanë kaluar nëpër sistemin e Drejtorisë së të Ardhurave Publike”.

Ndërkaq, zëdhënësja e qeverisë, Marija Miteva, tha se se qëllimi ishte krijimi i një programi gjithëpërfshirës kombëtar, me standarde të larta artistike dhe prodhuese. Miteva madje më në detaje tregoi se për çka janë hargjuar këto shuma të majme.

MARIJA MITEVA, ZËDHËNËSE E QEVERISË

“Në përputhje me raportin e dorëzuar, mjetet financiare janë paraqitur në pesë kategori themelore. Kategoria e parë janë honorarët për artistë dhe interpretues. Kjo kategori i referohet segmentit artistik të programit dhe angazhimeve të artistëve dhe interpretuesve, për të cilët janë paraqitur gjithsej 129.307.500 denarë. Kategoria e dytë është produksioni, për të cilin janë paraqitur 96.272.512 denarë”.

Festimi i 35 vjetorit të Maqedonisë së Veriut është bërë në 13 qytete dhe kanë interpretuar 67 artistë.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING