(VIDEO) 11-Tetorit dita e kryengritjes popullore, liderët porosisin: të ruhen vlerat historike
Kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e mbajtur gjatë ceremonisë së organizuar nga Qeveria me rastin 11 tetorit, tha se është koha të vendosim synime të mëdha kombëtare, të marrim vendime të guximshme dhe të krijojmë një shtet që nuk do të mbijetojë, por do të përparojë. Mes tjerash, kryeministri tha se i ka ardhur fundi ambicieve të vogla dhe mundësi të humbura dhe se „Maqedonia për shumë kohë është kënaqur me mediokritetin“.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Sepse Maqedonia është më e madhe se çdo brez politik. Sepse shteti nuk është vetëm flamur, himn dhe kufij. Shteti është besim. Ai është edhe sistem. Shteti është një premtim ndaj çdo qytetari se e ardhmja e tij nuk do të varet nga interesat personale të dikujt, por nga puna, dija dhe aftësitë e tij. Dhe pikërisht këtu qëndron përgjegjësia jonë më e madhe – të ndërtojmë një atdhe që nuk do të kremtojë vetëm historinë e vet, por një shtet që do të krijojë fitore të reja për historinë”.
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova ka porositur se, është koha që të sillemi ndaj shtetit si ndaj një shtëpie të përbashkët, ku dallimet nuk janë shkak për përçarje, por arsye për të mësuar nga njëri-tjetri, për të kuptuar njëri-tjetrin dhe për të ndërtuar ndërgjegjësimin për të mirën e përbashkët.
Gordana Siljanoska – Davkova, Presidente e RMV-së
„Duhet të ndërtojmë një shtet juridik dhe demokratik, por edhe një shoqëri civile në të cilën ligjet do të vlejnë për të gjithë, institucionet do t’u shërbejnë të gjithëve dhe dinjiteti njerëzor i secilit do të jetë një vlerë e paprekshme. Çdo brez ka sprovën e vet përpara historisë. Sprova jonë nuk është të rrëfejmë dhe aq më pak të përsërisim betejat e paraardhësve tanë, por t’i jetësojmë veprat e tyre”.
Ndërkaq, kryeparlamentari, Afrim Gashi në telegramin e tij të urimit, tha se, kjo festë na kujton vlerat mbi të cilat ndërtohet një shoqëri demokratike dhe e drejtë: liria, solidariteti, respekti i ndërsjellë dhe bashkëjetesa.
Afrim Gashi, Kryeparlamentar i RMV-së
“Këto janë vlera që edhe sot duhet të na udhëheqin në ndërtimin e shtetit dhe në krijimin e një të ardhmeje më të mirë për brezat që vijnë. Është detyrimi ynë që me respekt ta ruajmë kujtimin për të gjithë ata që luftuan dhe u flijuan për lirinë, ndërsa guximin e tyre ta shndërrojmë në përgjegjësi, unitet dhe përkushtim ndaj zhvillimit demokratik, sundimit të së drejtës dhe së ardhmes evropiane të vendit tonë”.
Kujtojmë se, 11 Tetori është dita Kryengritjes Popullore të Maqedonisë. Përkatësisht, 11 tetori i vitit 1941 shënon fillimin e organizuar të Luftës Nacionalçlirimtare të popullit maqedonas dhe të kombësive të tjera kundër fashizmit.
Teuta Buçi /SHENJA/

