Vazhdon gjykimi për vrasjet e Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovski

Me prezantimin e dëshmive nga ana e mbrojtjes së të akuzuarit Lupço Palevski, në Gjykatën Themelore Penale Shkup sot vazhdoi gjykimi për vrasjet e Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovski për të cilët përveç Palevskit, të akuzuar janë edhe Bore Videvski, Velibor Manev, Vllatko Keshishov dhe babai Vanjës, Aleksandar Gjorçevski.
Në seancën e kaluar gjyqësore ishin prezantuar dëshmi materiale nga mbrojtja e Gjorçevskit, ndërsa ishte marrë në pyetje edhe një dëshmitar si propozim i mbrojtjes së Palevskit.
Një pjesë të dëshmive të cilat gjatë procesit i prezantoi Prokuroria ishin dëshmi të familjeve të Vanjës dhe Pançes. Ishin marrë në pyetje edhe persona zyrtarë, inspektorë, të njohur dhe bashkëpunëtorë të të akuzuarit Lupço Palevski. Pastaj, Prokuroria prezantoi shumë dëshmi materiale të cilat përfshinin video-xhirime nga “Qyteti i sigurt”, komunikim elektronik të të akuzuarit Palevski, lëndë të grumbulluara nga vendi i ngjarjeve dhe raporte nga përpunimi teknik i automjetit Reno Kangu.
Sipas aktakuzës, Lupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev, Vlatko Keshishov dhe Aleksandar Gjorçevski akuzohen se kanë planifikuar bashkërisht rrëmbimin e 14-vjeçares Vanja me qëllim që të detyrojnë një anëtar të familjes së saj të ngushtë të sigurojë para për shpërblim. Rrëmbimi i të dëmtuarit, Pançe Zhezovski, në Veles, sipas aktakuzës, ka qenë me qëllim që ta detyrojë t’ua japë automjetin e tij “Citroen”, në mënyrë që ta përdorin për ta rrëmbyer fëmijën në Shkup.
Vanja e mitur dhe Pançe nga Velesi, të cilët ishin denoncuar si të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, ishin gjetur të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit më 3 dhjetor të vitit 2023.