Rama për median greke: Nuk jap dorëheqjen-qeveritë s’rrëzohen me molotovë
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht protestave të dhunshme të javëve të fundit në Tiranë. Në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, Rama bëri dallimin mes studentëve që kërkojnë një të ardhme më të mirë dhe grupeve të protestuesve që, sipas tij, përdorin dhunën për të arritur qëllimet e tyre politike.
“Një pakicë mendon se t’i vërë flakën vendit është rruga më e shkurtër drejt pushtetit”, u shpreh Rama.
I pyetur për kërkesat e protestuesve lidhur me përmirësimin e arsimit, luftën kundër korrupsionit dhe uljen e kostos së jetesës, kreu i qeverisë pranoi se shqetësimet e të rinjve janë të arsyeshme dhe kërkojnë përgjigje konkrete.
“Nuk kam pretenduar kurrë se gjithçka në Shqipëri është perfekte. Nuk besoj se të rinjtë duhet thjesht të pranojnë atë që kemi arritur deri më sot. Shqetësimet e tyre për arsimin, koston e jetesës dhe mungesën e mundësive reale janë të drejta dhe kërkojnë përgjigje konkrete”, tha Rama.
Ai bëri të ditur se projektbuxheti i vitit 2027, i cili pritet të prezantohet së shpejti, parashikon masa shtesë për familjet, shërbimet publike dhe studentët.
Rama theksoi gjithashtu se u ka bërë thirrje studentëve dhe pedagogëve për dialog të hapur, duke nënvizuar se është i gatshëm të shqyrtojë çdo propozim serioz, edhe nëse vjen nga persona që e kritikojnë ashpër qeverinë.
Megjithatë, kryeministri bëri një dallim mes protestuesve që kërkojnë përmirësimin e kushteve të jetesës dhe grupeve që, sipas tij, sulmojnë institucionet publike dhe dëmtojnë pronën private. Ai përmendi edhe persona që i lidh me lëvizjen Antifa, të cilët i akuzoi për përdorim të dhunës gjatë protestave.
Sipas Ramës, lufta kundër korrupsionit është përgjegjësi e institucioneve të drejtësisë dhe nuk mund të përdoret si justifikim për akte dhune.
“Buxheti i vitit 2027, të cilin do ta prezantojmë së shpejti, përfshin masa shtesë për familjet, shërbimet publike dhe studentët. Në të njëjtën kohë, u kam bërë thirrje studentëve dhe pedagogëve të angazhohen në një dialog të hapur. Jam i gatshëm të shqyrtoj çdo propozim serioz, edhe ato që vijnë nga individë që na kritikojnë ashpër. Megjithatë, ekziston një vijë e qartë ndarëse mes studentëve që dëshirojnë një të ardhme më të mirë dhe grupeve të personave të maskuar, disa prej të cilëve i kam lidhur me lëvizjen Antifa, që hedhin bomba molotov, sulmojnë ndërtesat publike dhe shkaktojnë dëme në pronën private. Lufta kundër korrupsionit është përgjegjësi e institucioneve të drejtësisë; nuk është çështje e atyre që përdorin dhunën si mjet për të pretenduar se përfaqësojnë një brez të tërë”, tha Rama.

