Toshkovski promovon katalogun e trajnimeve të MPB-së: Policia moderne kërkon arsimim dhe përmirësim të vazhdueshëm
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, mori pjesë sot në Akademinë Policore në Idrizovë në promovimin e Katalogut për trajnimet e vazhdueshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i përgatitur në bashkëpunim me Akademinë Policore dhe Misionin e OSBE-së në Shkup, njoftoi MPB.
Në fjalimin e tij, Toshkovski theksoi se katalogu paraqet një hap të rëndësishëm drejt avancimit të zhvillimit profesional dhe forcimit të kapaciteteve të të punësuarve në MPB, duke vlerësuar se sfidat bashkëkohore të sigurisë kërkojnë një polici të trajnuar, profesionale dhe efikase.
“Trajnimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm i shërbimit policor është një nga prioritetet tona kryesore. Katalogu nuk është vetëm një përmbledhje e programeve të trajnimit, por një mjet strategjik për zhvillimin profesional, që do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve institucionale, rritjen e cilësisë së punës policore dhe shtimin e besimit të qytetarëve ndaj policisë”, deklaroi Toshkovski.
Sipas tij, katalogu përmban një pasqyrë të sistemuar të programeve të trajnimit, të hartuara në përputhje me nevojat e shërbimit policor, standardet moderne të sigurisë dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Trajnimet janë të orientuara drejt zhvillimit të kompetencave profesionale, operative dhe menaxheriale, me fokus të veçantë në zbatimin praktik të njohurive, respektimin e të drejtave të njeriut, integritetin profesional dhe standardet etike në punën policore.

