(VIDEO) Bajram Rexhepi: Jam kërcënuar me jetë pas denoncimit për parcelën e zjarrfikësve në Tetovë
Kërcënohet me jetë kryetari i degës së BDI-së në Tetovë, Bajram Rexhepi. Ai deklaroi se kërcënimet i ka marrë nga Ibrahim Ferati, pas denoncimit publik të planit për ndërtimin e një kompleksi në parcelën e zjarrfikësve në Tetovë, projekt ky që Komuna e prezanton si studim fizibiliteti. Rexhepi thotë se kërcënimin e ka paraqitur në polici, ndërsa pretendon se personi që e ka kërcënuar ka lidhje familjare dhe afariste me autorët dhe realizuesit e këtij projekti.
Bajram Rexhepi, kryetar i degës së BDI-së në Tetovë
“Pasi ne kemi zbardhur planin e vjedhjes të komunës së Tetovës te parcela ndërtimore e zjarrëfikësve, dhe sigurisht pasi kemi denoncuar gjithë këtë plan monstruoz që është duke u pregatitur nga komuna që ata e quajnë ‘studimi fizibilitetit’ unë mbrëmë kam pranuar kërcënime nga personi Ibrahim Ferati, i cili është vëllai i pronarit dhe i autorit të këtij planit të vjedhjes, njëkohësisht është edhe pronari i kompanisë që bën ndërtimin e objektit të komunës, dhe në të njejtën kohë është edhe bashkëpronar me dajën e Bilall Kasamit”.
Ai paralajmëron se nuk do të ndalet së denoncuari atë që e quan vjedhje të pronës së qytetarëve të Tetovës, njëkohësisht u bën thirje edhe organeve kompetente që të ndërmarin menjëherë vepra konform ligjit.
Bajram Rexhepi, kryetar i degës së BDI-së në Tetovë
“Ne sot kemi denoncuar në polici këtë kërcënim dhe dua të ju bëj me dije të gjithë atyre që përdorin metoda të tilla mesjetare kërcënimesh, që jovetëm që nuk do munden të na kercënojnë në mënyrë të tillë, të na frikësojnë, përkundrazi, ne do denoncojmë çdo hap që planifikohet vjedhja e pronës së Tetovarëve. Unë ju bëj thirrje organeve kompetente që të ndërmarin menjëherë vepra dhe njëkohësisht i bëj thirje Bilall Kasamit që të ndal këta mercenar sa nuk është vonë”.
Ai theksoi se përmbajtjen e kërcënimit me jetë e ka dorëzuar në polici dhe se nuk dëshiron të shpalos detaje më të hollësishme të kërcënimit, teksa janë në pritje që të veprojnë organet kompetente.
Ndërkohë rasti lidhet me projektin e Komunës së Tetovës për ndërtimin e një kompleksi të ri administrativ-komercial në parcelën prej 6.768 metrash katrorë, ku aktualisht ndodhet Njësia e Zjarrfikësve. Sipas studimit zyrtar të fizibilitetit, investimi vlerësohet në 28.5 milionë euro. Megjithatë, në përllogaritjen e kostove janë evidentuar mospërputhje prej 3.95 milionë eurosh, ndërsa sipas modelit të rekomanduar, Komuna do të japë tokën dhe objektin ekzistues, do të paguajë edhe rreth 7.77 milionë euro për një pjesë të objektit të ri, ndërsa 40% e tij do t’i mbetet investitorit privat. Pikërisht këto kushte kanë nxitur dyshime dhe kundërshtime për rrezikimin e interesit publik në favor të atij privat.
Anida Murati /SHENJA/

