Toshkovski: Krimi i organizuar në burgje nuk është problem i izoluar – nevojitet një përgjigje e përbashkët dhe e koordinuar
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot iu drejtua Konferencës Rajonale “Krimi i organizuar në burgje: Forcimi i integritetit, inteligjencës dhe bashkëpunimit në Evropën Juglindore”, e organizuar nga Misioni i OSBE-së në Shkup, ku marrin pjesë përfaqësues të institucioneve përkatëse dhe ekspertë nga vendet e rajonit. Në fjalën e tij, ministri Toshkovski theksoi se krimi i organizuar në institucionet korrektuese nuk duhet të trajtohet si një problem i izoluar i burgjeve, pasi strukturat kriminale mund të vazhdojnë të komunikojnë, të ushtrojnë ndikim dhe të ruajnë rrjetet e tyre edhe pas privimit të lirisë, me pasoja për integritetin e institucioneve dhe efikasitetin e të gjithë sistemit të drejtësisë penale.
“Duhet t’i njohim hapur dobësitë. Mbipopullimi, mënyra e zbatimit të paraburgimit, alternativat e zhvilluara pamjaftuesjëm, rreziku i rekrutimit të personave të cenueshëm dhe mundësia e ndikimit korruptiv krijojnë hapësirë që strukturat kriminale e shfrytëzojnë. Në të njëjtën kohë, presionet, frikësimi dhe korrupsioni mund të cenojnë drejtpërdrejt integritetin dhe qëndrueshmërinë e personelit të burgjeve. Këto sfida janë reale dhe nuk duhet t’i nënvlerësojmë”, theksoi Toshkovski.
Ai potencoi se integriteti duhet të jetë një nga shtyllat themelore në luftën kundër këtij lloji të krimit, përmes standardeve të qarta profesionale, menaxhimit të përgjegjshëm, mekanizmave efikasë për kontroll dhe parandalim të korrupsionit, si dhe mbështetjes institucionale për punonjësit, në mënyrë që ata të jenë në gjendje t’u rezistojnë presioneve dhe ndikimeve.
Si një segment veçanërisht të rëndësishëm, ai veçoi edhe inteligjencën në institucionet korrektuese, duke theksuar se identifikimi në kohë i rreziqeve kërkon informacione cilësore, analiza të mira dhe shkëmbim efikas të informacionit ndërmjet shërbimeve të burgjeve, policisë, prokurorisë dhe institucioneve të tjera kompetente.
“Asnjëra prej këtyre masave nuk mund të japë rezultat të plotë pa bashkëpunim. Nga parandalimi dhe hetimi, përmes ngritjes së akuzës dhe gjykimit, deri te ekzekutimi i sanksionit – institucionet duhet ta shohin krimin si një sfidë të përbashkët. Vetëm përmes mekanizmave të koordinuar operacionalë, shkëmbimit efikas të informacionit, trajnimeve të përbashkëta dhe procedurave të qarta për mbrojtjen e integritetit mund të ndërtojmë institucione të qëndrueshme, të cilat do të mbrojnë si sigurinë, ashtu edhe të drejtat e njeriut”, tha Toshkovski.
Duke iu referuar dimensionit rajonal, ministri theksoi se rrjetet kriminale transnacionale, rreziqet e korrupsionit, presionet ndaj punonjësve dhe mungesa e shkëmbimit efikas të informacionit të inteligjencës janë sfida që nuk njohin kufij dhe për këtë arsye kërkojnë një qasje të koordinuar, të integruar dhe afatgjatë.
Toshkovski përshëndeti iniciativën dhe rolin e Misionit të OSBE-së në Shkup në nxitjen e dialogut rajonal dhe krijimin e një platforme për bashkëpunim praktik dhe shkëmbim përvojash ndërmjet institucioneve dhe ekspertëve. Në përfundim, ministri theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me partnerët në rajon dhe shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira, me qëllim ndërtimin e institucioneve më të forta, institucioneve korrektuese më të sigurta dhe një sistemi të drejtësisë penale më efikas dhe më rezistent në Evropën Juglindore.

