Të paktën 14 të vra’rë në sulmin e fundit izraelit ndaj shkollave të OKB-së që strehonin banorët e Gazës
Të paktën 14 persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në bombardimet izraelite ndaj një shkolle të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara (OKB), ku strehoheshin civilë të zhvendosur në Rripin e Gazës qendrore, transmeton Anadolu.
Disa anëtarë të stafit të agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) ishin në mesin e viktimave, por në njoftimin e zyrës së OKB-së nuk u specifikua numri i tyre.
Shërbimi i Mbrojtjes Civile tha se disa fëmijë dhe gra ishin në mesin e viktimave në sulmin që shënjestroi shkollën al-Jaouni në kampin e refugjatëve Nuseirat.
Sulmi ishte i pesti që u nis nga ushtria izraelite kundër të njëjtës shkollë që nga 7 tetori i vitit 2023 në mes të sulmit të vazhdueshëm izraelit në Rripin e Gazës.
Sipas autoriteteve lokale, shkolla strehon mbi 5 mijë civilë të zhvendosur në Gaza.
“Është masakra e 47-të që është kryer nga ushtria izraelite gjatë luftës së saj të gjenocidit në kampin e refugjatëve Nuseirat, ku jetojnë mbi 250 mijë njerëz”, tha zyra për media e qeverisë në Gaza.
Zyra për media tha se mbi 18 shkolla dhe qendra strehimi u sulmuan nga ushtria izraelite në kampin e refugjatëve Nuseirat që nga 7 tetori i vitit të kaluar.
Izraeli ka shënjestruar sistematikisht objektet civile, duke përfshirë shkollat, spitalet dhe vendet e adhurimit, në mes të ofensivës së vazhdueshme në Rripin e Gazës.
Sipas rregullave të luftës, shënjestrimi i objeteve të tilla civile mund të përbëjë krime lufte.
Muajin e kaluar, të paktën 100 njerëz u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në një sulm izraelit në shkollën Al-Taba’een në qytetin Gaza, ku janë strehuar mbi 6 mijë njerëz të zhvendosur.
Izraeli vazhdon ofensivën brutale në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.
Pothuajse 41.100 njerëz janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 95 mijë të tjerë janë plagosur. Sulmet izraelite kanë zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e territorit mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të rënda të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli për veprimet në Gaza përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.