Taravari paralajmëron Mickoskin: “Napoleoni filloi të humbë kur besoi se ishte i pathyeshëm”
Maqedonia e Veriut e ka parë edhe më herët një skenar të tillë: kryeministra të dehur nga pushteti, të cilët kanë menduar se mënyra më e lehtë për të dëshmuar forcën politike është të godasin shqiptarët.
Kështu shprehet lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në reagimin e tij të fundit ndaj qëndrimeve të kryeministrit Hristijan Mickoski, veçanërisht lidhur me çështjet që prekin interesat, të drejtat dhe arritjet e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Taravari e akuzon Mickoskin për një sërë veprimesh që, sipas tij, cenojnë pozitën e shqiptarëve, duke përmendur gjuhën shqipe, parimin e Badenterit dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.
Në mënyrë ironike, Taravari e krahason kryeministrin Mickoski me Napoleon Bonapartin, duke iu referuar një prej figurave më të njohura të historisë për të paralajmëruar se pushteti i pakufizuar mund të kthehet në dobësi.
“Napoleoni filloi të humbë kur besoi se ishte i pathyeshëm”, shkruan Taravari në një reagim të publikuar në profilin e tij në Facebook.
Më tej, ai rendit ato që i konsideron si “goditje” ndaj shqiptarëve.
“Sot, Mickoski po ecën në të njëjtën rrugë. Goditje ndaj gjuhës shqipe. Relativizim i Badenterit. Dobësim i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Dhe përballë gjithë kësaj, VLEN-i hesht. Napoleoni filloi të humbë kur besoi se ishte i pathyeshëm”, shprehet Taravari.
Sipas tij, Mickoski duhet ta kuptojë se shqiptarët nuk mund të trajtohen si një hapësirë politike ku një kryeministër mund të demonstrojë fuqinë e tij.
“Edhe Mickoski duhet ta kuptojë se shqiptarët nuk janë territori ku një kryeministër provon fuqinë e tij”, thekson Taravari.
Ai shton se mbështetja parlamentare dhe aleancat politike nuk janë garanci për jetëgjatësi në pushtet.
“Mund ta kesh shumicën. Mund ta kesh VLEN-in pranë vetes. Por asnjë pushtet nuk është i përjetshëm. Historia ka një zakon me ‘Napoleonët’: rënia fillon pikërisht kur mendojnë se nuk mund të bien”, përfundon Taravari.

