Sulm ndaj dy të rinjve në Tetovë, policia po heton rastin
Policia në Tetovë ka njoftuar se po heton një rast sulmi ndaj dy të rinjve në qytet.
Sipas SPB Tetovë, një 18-vjeçar ka raportuar se ai dhe një shok i tij janë sulmuar nga një grup prej rreth 20 personash në rrugën “Lenin”, pranë urës së lumit Shkumbin, rreth orës 23:00.
Sipas denoncimit, grupi fillimisht ishte duke vizatuar grafite dhe më pas u ka bërë thirrje provokuese me përmbajtje nacionaliste dy të rinjve që po kalonin aty.
Pas kësaj, ata janë rrethuar dhe janë sulmuar fizikisht nga disa persona, ku njëri prej tyre ka qenë i maskuar. Njëri nga të rinjtë ka identifikuar një person të dyshuar nga grupi.
Policia thotë se po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit.

