Sekuestrohen rreth 1.1 milionë euro në Strumicë
Policia, në bashkëpunim me institucionet kompetente shtetërore, gjatë ditës së djeshme ka sekuestruar rreth 1.1 milionë euro nga një person juridik dhe dy persona fizikë në Strumicë.
Nga shuma totale, 597.500 euro janë gjetur në para të gatshme, ndërsa pjesa tjetër ka qenë e depozituar në llogari transaksionale.
Detajet e aksionit u bënë të ditura sot në një konferencë të përbashkët për media nga drejtori i Byrosë për Siguri Publike (BJB), Aleksandar Janev, përfaqësues të SPB Strumicë, Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Policisë Financiare dhe Prokurorisë Publike.
Sipas Janevit, hetimi lidhur me dyshimet për mjete të përfituara në mënyrë të paligjshme kishte nisur në prill të këtij viti. Gjatë kontrolleve, te personi ku u gjetën paratë nuk është konstatuar dokumentacion përkatës financiar që do të dëshmonte prejardhjen e tyre.
Hetimi më pas ka çuar në një tjetër gjurmë financiare. Është konstatuar se gjatë vitit 2018, nga persona fizikë dhe juridikë, në një llogari bankare të një personi fizik ishin depozituar rreth 500 mijë euro.
Pas analizave dhe hetimit financiar, autoritetet kanë konstatuar një mospërputhje të konsiderueshme ndërmjet të ardhurave vjetore të deklaruara si kursime dhe shumës së mjeteve të depozituara. Sipas Janevit, nuk është siguruar dokumentacion i përshtatshëm që do të justifikonte prejardhjen dhe përdorimin e këtyre mjeteve financiare.
Në kuadër të hetimit është konstatuar edhe një detyrim tatimor në vlerë prej rreth 2 milionë denarësh, i cili nuk ishte paguar në buxhetin e shtetit.
Janev theksoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve kompetente ka qenë kyç në zbardhjen e rastit, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm në luftën kundër mjeteve financiare të përfituara në mënyrë të paligjshme.
“Ne gjithmonë do të pyesim se nga vijnë paratë, përkatësisht cila është prejardhja e tyre, kur ato janë objekt i një hetimi. Qytetarët e ndershëm maqedonas që veprojnë në përputhje me ligjin nuk kanë nga çfarë të frikësohen. Duhet të frikësohen ata që nuk kanë prejardhje të përshtatshme të mjeteve financiare dhe ata që nuk kanë bazë ligjore për pasurinë e fituar”, deklaroi Janev.
Ai bëri të ditur se SPB Strumicë ka dorëzuar në Prokurorinë Publike të Strumicës kallëzim penal ndaj dy personave fizikë dhe një personi juridik për veprat penale evazion fiskal, fajde dhe pastrim parash.
Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera lidhur me rastin, pasi procedura aktualisht ndodhet në fazën e parahetimit.

