“Jelekverdhët” në Francë bëjnë thirrje për protesta të reja kundër “prirjes autoritare” të qeverisë
Lëvizja e “Jelekverdhëve” në Francë ka bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare më 31 tetor kundër asaj që e cilëson si “prirje autoritare” të qeverisë, raportoi BFMTV, transmeton Anadolu.
Lëvizja njoftoi planet për tubime dhe protesta ulur para Asamblesë Kombëtare në Paris dhe bashkive në mbarë vendin, me qëllim “mbrojtjen e lirive publike”.
“Ka zemërim në këtë vend që nuk po dëgjohet”, thuhet në deklaratën e Jelekverdhëve, të cilët akuzuan qeverinë për “përçmim, refuzim për të dëgjuar, gënjeshtra dhe represion”.
Lëvizja paralajmëroi gjithashtu se liritë publike janë “nën kërcënim”, duke dënuar atë që e përshkroi si “prirje autoritare” gjithnjë e më të theksuar nga pushteti ekzekutiv.
Thirrja për mobilizim vjen në një kohë kur autoritetet kanë ndaluar disa demonstrata në gjithë Francën, pas një vale dhune dhe plaçkitjesh që tronditi vendin një javë më parë.
Ndërkohë, mijëra njerëz pritej të dilnin të shtunën në rrugët e Parisit dhe qyteteve të tjera të mëdha për të protestuar kundër rritjes së kostos së jetesës dhe kushteve të këqija të arsimit.

