Mexhiti i përgjigjet Ahmetit: Shqiptarët po marrin hisen e tyre në buxhet, po përmirësojmë gabimet e BDI
Zv/kryeministri i parë, Izet Mexhiti, i është përgjigjur kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili dje kërkoi që VLEN të del nga qeveria, për shkak se sipas tij, po shkelen të drejtat e shqiptarëve.
Mexhiti, ka thënë se për herë të parë, shqiptarët po marrin më shumë hise në buxhetin e Maqedonisë së Veriut.
“Po marrin duku 30 milionë euro që në këtë gjysmë viti, marrin edhe komunat që nuk janë të VLEN-it, janë të BDI-së. Nëse i ul ata sinqerisht pa kamera, ata thonë se më mirë e kemi tani kur BDI është në opozitë sesa kur BDI ka qenë Qeveri. Është hera e parë që një qeveri nuk e bën diferencimin siç ata e bënë në të kaluarën siç e lanë Çairin dhe Tetovën pa asnjë denarë nga buxheti, ne nuk po e bëjmë të njejtën”, tha Mexhiti, raporton SHENJA.
Sa i përket korridorit 8, Mexhiti, tha se janë ata, pra BDI, që janë marrë me çështje korruptive, ndërsa këta po merren me realizimin e korridorit 8.
Mexhiti tha se së nesër do të marrin pjesë në fillimin e punëve të korridorit 8.
“Pra, ne po merremi me dështimet e të kaluarës, ne po përmirësojmë gabimet e tyre, po marrim hisen ekonomike dhe mendoj që shqiptarët çdo ditë e më tepër do të jetë të përfaqësuar më me dinjitet në këtë qeveri”, u shpreh Mexhiti. /SHENJA/