LSDM mbështet idenë e PLD-së: Tashmë kemi propozuar ligj për shtetësinë e dyfishtë
LSDM kërkon që në Kuvend të rikthehet dhe të miratohet ligji për kufizimin e shtetësisë së dyfishtë për bartësit e funksioneve publike, duke insistuar që ai të zbatohet pa përjashtime.
“LSDM tashmë ka paraqitur një projektligj për shtetësinë e dyfishtë. Ai duhet të vlejë edhe për deputetët e kësaj përbërjeje, për ministrat, zyrtarët qeveritarë dhe drejtorët e ndërmarrjeve publike. Ligji duhet të vlejë për të gjithë. Le të kthehet ligji në Kuvend”, deklarojnë nga partia.
Sipas LSDM-së, ndërsa po zhvilloheshin aktivitetet për shënimin e 35-vjetorit të pavarësisë, ligji për kufizimin e shtetësisë së dyfishtë për zyrtarët publikë mbeti i bllokuar.
Nga partia opozitare thonë se më herët kanë propozuar një zgjidhje, e cila, sipas tyre, duhet të zbatohet për deputetët e përbërjes aktuale të Kuvendit, ministrat dhe zyrtarët qeveritarë, drejtorët e ndërmarrjeve publike, si dhe për të gjithë bartësit e funksioneve publike, pa përjashtime.
“Nuk ka vend për standarde të dyfishta. Nuk ka vend për heshtje nga ata që e kanë propozuar vetë ligjin dhe tani po e shmangin atë. Nuk ka vend për zyrtarë që marrin pagë nga shteti, ndërsa besnikëria e tyre është e ndarë”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
LSDM gjithashtu shpreh mbështetje për iniciativën e PLD-së dhe kërkon që ligji të rikthehet menjëherë në rendin e ditës së Kuvendit dhe të miratohet pa vonesë.
Në pjesën më të ashpër të reagimit, LSDM akuzon zyrtarë dhe figura publike të caktuara për lidhje dhe orientim pro-serb dhe pro-rus, duke përmendur Stoilkoviqin, persona që partia i lidh me BIA-n dhe kreun e medias Latas.
“Pavarësia e vërtetë dhe patriotizmi i vërtetë vërtetohen me besnikëri ndaj një shteti – Maqedonisë”, thuhet në deklaratën e LSDM-së, e cila më tej pretendon se rregullat për shtetësinë e dyfishtë duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë bartësit e funksioneve publike.
Me këtë qëndrim, LSDM kërkon që çështja e shtetësisë së dyfishtë të rikthehet në agjendën parlamentare dhe të trajtohet si një çështje që, sipas partisë, lidhet drejtpërdrejt me përgjegjësinë dhe besnikërinë e zyrtarëve ndaj shtetit.

