Kuvendi shkarkon ministrat e Alternativës
Seanca e Kuvendit edhe në vazhdimin pas mesnatës kaloi me akuza të ndërsjella mes pushtetit dhe opozitës. Deputetët nga opozita me akuza për gjendjen e keqe ekonomike, mosfunksionimin e institucioneve, paaftësinë e pushtetit që të ballafaqohet me korrupsionin, mospërfundimin e projekteve kapitale, duke përsëritur qëndrimin se rikonstruimi i Qeverisë nuk është në interes të qytetarëve, por i pazarllëkut për funksione dhe i interesave personale.
Kurse çaste më parë me 65 vota “për” në Kuvend është shkarkuar nga pozita e ministrit të Shëndetësisë, Bekim Sali, e me 64 vota “për” dhe një “kundër” është shkarkuar edhe ministri për Administratë dhe Shoqëri Informatike, Admirim Aliti, derisa me 64 vota “për” dhe një “kundër” është shkarkuar nga detyra edhe ministri pa resor për Diasporën, Xhemail Çupi.
Ndryshe, në rend të ditës së seancës së 104-të janë edhe emërimet e ministrave të rinj, Fatmir Mexhitit për ministër të Shëndetësisë, Azir Aliut për ministër të Shoqërisë Informative, Krenar Logës për ministër të Drejtësisë dhe Kaja Shukova për ministre të Ambientit Jetësor.